Arben Taravari në intervistë për “Zërin e Amerikës “thotë se pas Kongresit të partisë që e organizoi ai, nuk ka pasur takim me Ziadin Selën. Taravari thotë se partia nuk ka prona, respektivisht që zyrat i kanë me qira, ndërsa thekson se në takimin e fundit që ka pasur me Selën është vendosur që krahu i Selës të shfrytëzojë zyrat e partisë në Shkup, ndërsa krahu i Taravarit t’i shfrytëzojë zyrat në Tetovë.
“Jo, ka pasur një takim më shumë se dy javë më parë ku ne u pamë dhe u përpoqëm edhe një herë të shihnim nëse mundemi, le të themi, t’i “hekurosim” (tejkalojmë) dallimet tona. Kemi dy zyre dhe që të mos ketë konflikt, të mos ketë keqkuptime, kemi vendosur që ata ta përdorin zyrën në Shkup, dhe ne ta përdorim në Tetovë si seli zyrtare të partisë. Mirëpo, partia nuk ka asnjë pronë – këto janë dy zyra me qira që ne i paguajmë dhe nuk kemi çfarë të ndajmë”, tha Taravari.