Aleanca për Shqiptarët ka mbajtur sot Kuvendin e saj të tretë në qytetin e Gostivarit, ku janë marrë disa vendime të rëndësishme rreth pozicionimit të saj në skenën politike.
Kreu i ASH-së, Arben Taravari, përmes një postimi në rrjete sociale, bëri të ditur vendimet kyçe të Kuvendit.
“Isen Shabani dhe Arben Halili u emëruan anëtar të ri të Kuvendit të Partisë; Dr. Idriz Orana u zgjodh Nënkryetar i Partisë; Votuam Rezolutën për tragjedinë e Koçanit”, njoftoi Taravari.
Një tjetër pikë me rëndësi ishte vendimi që Këshilli Drejtues të vazhdojë negociatat me koalicionin opozitar VLEN për të gjetur një marrëveshje për të dal së bashku në zgjedhje.
Taravari përmes një fotografie të publikuar e përshkroi partinë si të bashkuar dhe të lumtur për vendimet.
“Një Kuvend prej të cilit del një grup i tillë njerëzish do të thotë se jemi të gjithë të bashkuar dhe të lumtur për vendimet tona!”, shkroi Taravari.
Kuvendi u zhvillua në një atmosferë që Taravari e përshkroi si “frymëzuese”, duke theksuar se ASH është më e vendosur se kurrë për të ecur “Drejt më t’Mirës”