Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari sot në rrjetin social “Facebook” dha qëndrimin e tij se si duhet të garojë partia që ai drejton në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duke i bërë thirrje Kuvendit të partisë që ta votojë propozimin e tij.
Sipas kreut të ASH-së, për ta arritur ndryshimin te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Aleanca për Shqiptarët duhet t’i bashkohet opozitës shqiptare.
“Qytetari po kërkon Ndryshim! Populli po kërkon një sistem politik të çliruar nga epidemia e korrupsionit, që është bërë frenuesi më i madh për mirëqenien dhe zhvillimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Në cilësinë e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, ftoj publikisht Kuvendin e partisë të më mbështesë në këtë rrugëtim dhe bashkë, t’i prijmë këtij procesi që unë e quaj Ndryshimi i Madh dhe i Shumëpritur! Më herët kreu i ASH-së, Arben Taravari i bëri thirrje Kuvendit të partisë që të marrë vendim që ASH-ja të garojë me opozitën shqiptare për shkak se, siç tha ai, ndryshimi i madh te shqiptarët është shumë afër”, u shpreh Taravari.
Pas shpalosjes së qëndrimit të tij, filloi përkrahja e idesë që ASH-ja duhet t’i bashkohet opozitës shqiptare, ndërsa në “Facebook”, emri i kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari figuron më i popullarizuari “popular now”.
Kujtojmë se qëndrimi i Taravarit vjen pas disa takimeve me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.