Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari pas iftarit me liderët e koalicionit VLEN dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, kishte takim me qytetarët në Gostivar.
Në fjalim, Taravari mes tjerash theksoi se do ta sjellin ndryshimin te shqiptarët, ndërsa votuesit ndryshimin e kanë kërkuar që nga viti 2011.
“Do ta sjellim ndryshimin e madh për të cilin shqiptarët dhe votuesit shqiptarë e bëjnë t’veten rregullisht prej vitit 2011, por ne si politikanë nuk arritëm të bashkohemi. Izeti e tha bukur, 2011 po t’i mblidhni të gjitha votat e partive opozitare janë shumë më shumë se sa votat e BDI-së, 2016-ta përsëri, 2020-ta përsëri dhe tash ne e bëmë atë që na dha porosi qytetari. Bashkohuni dhe bëheni bashkë, dhe ne vendosëm të gjitha partitë politike opozitare shqiptare të jemi bashkë”, tha Taravari duke shtuar se në anët tjetër është krijuar edhe një bllok tjetër me BDI-në dhe me partitë politike që janë dorë e zgjatur e BDI-së.
Taravari u shpreh se tashmë është krijuar një energji pozitive te shqiptarët që po kërkojnë ndryshim, ndërsa ndryshimi do të ndodhë më 8 maj.
“Impakti është i jashtëzakonshëm, fryma dhe energjia pozitive që është krijuar te shqiptarët është i jashtëzakonshëm dhe padyshim, pa pik dyshimi që më 8 maj do të ndodhë ndryshimi historik te shqiptarët e Maqedonisë”, tha mes tjerash Taravari.