Kryetari i ASH-së, Arben Taravari ka reaguar përmes një statusi në Facebook mbi ndeshjet e fundit futbollistike të Ligës së Kombeve, ku thirrjet raciste kanë qenë të shpeshta ndaj reprezentacionit të Kosovës.
Tifozërisë serbe, rumune dhe çeke, Taravari u rikujton se Kosova është shtet i pavarur, autoktone shqiptare. Gjithçka tjetër, thotë Taravari, është problem i këtyre tifozëve.
“Disa fjalë për tifozët rumunë, çekë, serbë apo qoftë edhe të ndonjë planeti tjetër: Kosova është Shtet Sovran dhe i Lirë! E nëse pyesni edhe më shumë Kosova është autoktone Shqiptare banuar nga Shqiptarë Autoktonë! Pjesa tjetër është thjesht…problemi juaj!”, shkruan kreu i ASH-së, Arben Taravari.
Kujtojmë se ndeshja e Ligës së Kombeve mes Rumanisë dhe Kosovës është braktisur në kohën shtesë të premten vonë të kësaj jave, pasi futbollistët e Kombëtares kosovare e lëshuan fushën në Bukuresht duke u ankuar për thirrje raciste ndaj tyre nga tifozët rumunë.
UEFA, shtëpia e futbollit evropian, njoftoi në uebsajtin e saj se ndeshja është braktisur dhe se më vonë do të japë më shumë hollësi rreth saj.
Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, tha se vendimi për braktisjen e ndeshjes u mor nga federata kosovare e futbollit, trajneri Franco Foda dhe vetë ekipi, pas “thirrjeve raciste” kundër Kosovës.
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani tha se kishte thirrje “Serbia, Serbia” dhe “Kosova është Serbi”, nga tifozët vendës, dhe se e kishte njoftuar gjyqtarin e ndeshjes “së paku tri herë” para se ekipi kosovar ta braktiste fushën.
Tani, UEFA pritet të hapë procedurë disiplinore për këtë ndeshje, që mund t’i kushtojë Kosovës me humbjen e saj me rezultat zyrtar për mospranimin për t’u kthyer në fushë.
Kjo është hera e dytë në dy vizitat e fundit të Kosovës në Bukuresht brenda një viti që ndeshja ndërpritet për shkak të thirrjeve të tifozëve vendës kundër Kosovës.
UEFA e gjobiti Federatën e Futbollit të Rumanisë me 52 mijë euro, si dhe e dënoi me një ndeshje pa tifozë, pas një hetimi për disa shkelje gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 kundër Kosovës në shtator 2023.