Smart News

Taravari: Kemi 107.000 vota të pastra shqiptare, kemi legjitimitetin te shqiptarët për formimin e Qeverisë

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Taravari në intervistën e tij për “Click Plus” në lidhje me vendimin e KSHZ-së, tha se VLEN-i ka bërë ankesa në KSHZ vetëm në njësinë zgjedhore numër gjashtë.

“Në zonën zgjedhore numër gjashtë kemi 8 ose 9 ankesa. Keni parasysh se edhe në zgjedhjet presidenciale në raudin e parë ne kemi bërë ankesë në Likovë dhe u vërtetua se ka funksionuar “treni bullgar. Përsëri në disa vendvotime kemi mungesa të fletëvotimeve, që te ne hapet dyshimi se është aplikuar “treni bullgar””, tha Taravari.

Sipas tij, si palë në zgjedhje ata kanë të drejtë të ankohen, ndërsa në zonën zgjedhore numër 5, edhe pse ka pasur parregullsi, VLEN-i nuk ka dërguar ankesa në KSHZ.

“Ne pretendojmë të marrim një deputet më shumë, sikur që BDI-ja ka marrë një deputet më shumë për 135 vota. Në zonën zgjedhore numër 5 nuk kemi bërë ankesa, kurse partitë tjera politike kanë bërë ankesa. Ekziston KSHZ-ja dhe le të vendosë, aty ka përfaqësues nga të gjitha partitë politike”, tha Taravari duke shtuar se BDI-ja, me shumë gjasa do ta humbasë një deputet në zonën zgjedhore numër 6.

Kreu i ASH-së, Arben Taravari theksoi se koalicioni pa kërcënime dhe pa shantazhe ka arritur të fitojë 107.000 vota të pastra shqiptare.

“Ne i kemi mbledhur 107.000 vota shqiptare, të pastra, pa kërcënime sepse s’kemi mënyrë për t’i kërcënuar, pa blerje, pa shantazhe dhe pa përdor institucionet shtetërore. Kështu që me 107.000 vota shqiptare, na jep legjitimitetin e plotë për të qenë përfaqësues i shqiptarëve në Qeverinë e ardhshme”, tha Taravari duke theksuar se pala tjetër ka rreth 35.000 vota nga etnitë tjera në Maqedoni.

Exit mobile version