Smart News

Taravari: Jam i sigurt se shteti ynë do të çojë para drejtësisë atë që tashmë e ka dënuar drejtësia amerikane!

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, kryetari i ASH-së Arben Taravari ka thënë se është i sigurt se shteti ynë do të çojë para drejtësisë atë që tashmë e ka dënuar drejtësia amerikane, duke aluduar kështu te kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko.

Taravari ka shtuar se ka një afeksion personal për demokracinë dhe sidomos për themelet e ndërtimit politik të Amerikës. Në këtë sens, ka deklaruar ai, është veçanërisht i kënaqur që një superfuqi vulosi mendimin tonë si parti për Ramiz Merkon.

“Ky individ është një nga shembujt më seriozë të krimit dhe korrupsionit aktiv, dhe shpallja e tij non grata është po njësoj përgjigja e zero tolerancë për këtë kontingjent njerëzish të cilët grabisin me kostum dhe kollare. Ishte shumë mirë kjo që ndodhi, sepse Amerika tregon që është rreshtuar në krahun tonë për të luftuar dhe larguar të keqen nga ky vend. SHBA-të janë një nga shpresat e vetme që ngushëllon të rinjtë e vendit tonë të cilët realizimin e tyre e shohin aty, por tani ka ndodhur pikërisht Një Mrekulli Amerikane sepse ata po ngjallin shpresën se ky vend mund të çlirohet nga e keqja. Mesazhi që ka marrë shteti është i qartë, Merko do gjykuar dhe dënuar, dhe se do të ketë disa Merko të tjerë të cilët me punën e tyre e bëjnë të zezë listën amerikane. Jam i sigurt se shteti ynë do të çojë para drejtësisë atë që tashmë e ka dënuar drejtësia amerikane!”, ka deklaruar kryetari i ASH-së, Arben Taravari.

Javë më parë ShBA ka shpallë “non grata”, kryetarin e komunës së Strugës në Maqedoninë e Veriut, Ramiz Merkon, ndërsa ambasadorja e ShBA-së në Shkup paralajmëron se “lista e zezë”, mund të zgjerohet.

I pyetur se si e vlerëson bashkëpunimin Kosovë- Maqedoni e Veriut, në cilën sektor ka nevojë për më shumë bashkëpunim, Taravari ka thënë se “Bashkëpunimi midis dy vendeve është natyral sepse jemi vende fqinje, por kemi edhe një thirrje të veçantë sepse Kosova është shtet shqiptar dhe Maqedonia ka shqiptarët si shtet-formues”.

“Ka shumë për t’u bërë në çdo sektor por veçanërisht në unifikim e traditave dhe dokeve tona të njëjta të cilat vetëm se i japin më tepër qytetërim dhe histori gadishullit tonë”, ka deklaruar më tej kreu i ASH-së, Arben Taravari.

INTERVISTËN E PLOTË E GJENI NË LINKUN NË VAZHDIM: https://www.botasot.info/intervista-opinione/2027981/kryetari-i-ash-se-e-quan-kurtin-burre-te-rralle-qe-iu-tregoi-te-forteve-se-kosova-eshte-shtet-pritet-finale-e-mire-ne-dialog/?fbclid=IwAR3AnQtMktkCFOnrVW90ago1tze3987V9pZlY0cfqEdXfzW_-Jka_a8xCPE

Exit mobile version