Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari gjatë ditës së sotme sërish përkujtoi nevojën e përfshirjes së gjuhës shqipe në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisës së Veriut.
Taravari shprehet se nga New York Times, gjuha shqipe është vlerësuar ndër tre gjuhët më të vjetra në botë dhe se, siç shkruan Taravari, është mungesë intelegjence që kjo gjuhë të figurojë si gjuha e 20% në Kushtetutë.
“Në vitin 2012 prestigjozja amerikane New York Times do të botonte një kërkim shkencor ku thuhet se gjuha shqipe është një ndër tre gjuhët më të vjetra në botë nga të cilat ka buruar çdo gjuhë tjetër… A nuk është mungesë inteligjence që këtë pasuri botërore ta quash 20%?!”, shkruan Taravari.
Kujtojmë se kreu i ASH-së, Arben Taravari më herët në intervistën për “Zërin e Amerikës” dhe intervistat tjera në vend kërkoi që me ndryshimet kushtetuese, duhet të hiqet 20% dhe të përfshihet gjuha shqipe në Kushtetutë.
“Kërkesa jonë është heqja e 20%. Në Maqedoni gjuhën shqipe e kemi zyrtare, por quhet gjuha të cilën e përdorin 20% e qytetarëve dhe kërkesa jonë është që 20% të zëvendësohet me gjuhën shqipe. Këtë e pëkrahin të gjitha partitë politike shqiptare, por edhe partitë politike maqedonase deklarativisht”, u shpreh për “Zërin e Amerikës”, kreu i ASH-së, Taravari.