Smart News

Taravari: Gostivari është model i bashkëjetesës, projekti “Mozaik” bashkoi fëmijët nga të gjitha etnitë

 

Ministri i Shëndetësisë dhe ish-kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, në një intervistë për Sitel Podcast, ka vlerësuar qytetin e tij të lindjes si shembull unik të tolerancës ndëretnike dhe bashkëjetesës, duke theksuar se edhe pse ndodhet vetëm 25 kilometra larg Tetovës, Gostivari ka një shpirt tjetër, më të qetë dhe më bashkëpunues. “Gostivari, ndryshe nga shumë qytete të tjera në Maqedoni, përveç një periudhe të shkurtër gjatë viteve 1996/97, gjithmonë ka qenë qytet i qetë dhe tolerant. Edhe pse jetojnë shqiptarë, maqedonas dhe turq, marrëdhëniet kanë qenë gjithmonë të mira, të sinqerta dhe të natyrshme. Edhe në kafene, të rinjtë rrijnë bashkë, sportojnë bashkë, klubet janë të përziera, dhe kjo tregon për një nivel të lartë të integrimit”, u shpreh Taravari.

Ai kujtoi edhe një iniciativë të rëndësishme gjatë kohës kur drejtonte komunën, projektin “Mozaik”, i cili kishte për synim afrimin e fëmijëve të nacionaliteteve të ndryshme që në moshë të vogël. “Ky projekt e nisëm për fëmijët në kopsht, 1-3 vjeç. Qëllimi ishte të jenë në të njëjtën dhomë shqiptarë, maqedonas dhe turq. Ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Reagimi i prindërve ishte shumë pozitiv, madje kërkuan që të zgjerohet edhe më shumë. Kështu fëmijët njiheshin, mësonin fjalë nga njëri-tjetri, dhe nuk rriteshin me barriera”, tha Taravari duke shtuar se projekti vazhdon ende në Gostivar, por duhet të shtrihet edhe në nivel shtetëror, në të gjitha vendbanimet multietnike.

Exit mobile version