Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, gjatë një interviste për Sitel Podcast, ka ndarë kujtime të sinqerta dhe emocionale nga fëmijëria e tij në qytetin e Gostivarit. Ai tha se vitet e para të jetës, sidomos periudha 6-7 vjeçare, për të përfaqësojnë kohën më të bukur dhe të paharruar të jetës.
“Unë jam rritur në Gostivar, pranë gjykatës, në atë që e quanin ‘Egejski zgradi’, sepse aty jetonin shumë maqedonas të ardhur nga pjesa e Egjeut. Ishim një lagje e përzier – turq, shqiptarë, maqedonas – por me shumë harmoni dhe miqësi. Ishte një periudhë vërtet e bukur dhe e sinqertë”, u shpreh Taravari.
Ai kujtoi me nostalgji se si fëmijët e lagjes hanin mëngjes në një shtëpi, drekë në një tjetër, dhe kalonin ditën duke luajtur së bashku: “Luanim futboll, basketboll, lojëra të ndryshme, dhe nuk kishim telefona apo kompjutera. Jeta dukej më e bukur, më e thjeshtë, më e sinqertë”.
Një moment prekës që ndau ishte takimi pas shumë vitesh me një ish-komshi maqedonas, Risto, i cili tashmë është këngëtar i njohur nëpër vendet e Ballkanit. “E takova rastësisht në një kafene në Gostivar pas 20-30 vitesh. Në fillim nuk e njoha, por kur më tha emrin, menjëherë e kujtova dhe rifilluam miqësinë”, tha Taravari.
Ai përfundoi duke theksuar se ato vite ishin të mbushura me ndjenja të pastërta dhe një jetë që sot mungon: “Vërtet kemi jetuar bukur dhe sinqerisht mes nesh.”