Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, tha se partia ende nuk ka vendosur se si do të shkojë në zgjedhje dhe se të gjitha opsionet janë të mundshme. Sipas tij, zgjedhjet duhet të mbahen në fund të marsit ose në fillim të prillit të vitit të ardhshëm së bashku me zgjedhjet presidenciale.
“Në organet partiake do t’i analizojmë të gjitha rrethanat në mënyrën më të mirë për partinë tonë”, ka thënë Taravari në një intervistë për Sitel.
I pyetur nëse është në lojë pjesëmarrja e përbashkët me koalicionin aktual qeveritar, ai tha se nuk përjashton asgjë. Megjithatë, ai beson se më së miri do të ishte që ASH të shkojë e vetme në zgjedhje.
– Ne bëjmë anketa çdo muaj dhe i marrim ato të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Dhe ne po ecim relativisht mirë. Mendoj se opsioni i parë, sipas meje, por vendimi nuk varet vetëm nga unë, më së miri do të ishte të shkojmë të vetëm, por nuk i përjashtoj të gjitha opsionet e mundshme për kombinime”, ka thënë Taravari.
Aleanca për Shqiptarët, siç thotë ai, ka raporte korrekte me të gjitha partitë politike.
“Nuk e përjashtoj bashkëpunimin me asnjë parti politike, sidomos në bllokun maqedonas. Kemi raporte të mira me LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në, ka thënë Taravari.
Për funksionimin me BDI në koalicionin qeveritar thotë se kjo është një “e keqe e imponuar”.
“Patjetër të funksionojmë dhe tash disi funksionojmë në këtë periudhë deri në zgjedhjet e ardhshme bashkë me BDI-në dhe LSDM-në. Mirëpo, patjetër të them se kur ne theni se BDI-ja ka metastazuar dhe është infiltruar nëpër të gjitha institucionet në Maqedoni dhe është problem serioz për shtetin, atëherë kjo disi u margjinalizua sikur askush nuk na merrte seriozisht. Dhe tani kur dëgjoj emisione debative nëpër të gjitha televizionet, analistë të caktuar po e përsërisin këtë”, ka thënë Taravari.