Smart News

Taravari dhe Mexhiti me aktivitete sportive shënuan Ditën Ndërkombëtare të Sportit

Kandidati për president i VLEN-it, Arben Taravari bashkë me bartësin e listës së kandidatëve për deputetë në Njësinë 1, Izet Mexhiti sot në Shkup me aktivistet sportiv me rininë e VLEN-it shënuan, Ditën Ndërkombëtare të Sportit.

Kandidati për president, Arben Taravari u shpreh se sporti duhet të promovohet nga të gjitha institucionet për arsye se është mënyra më e mirë për ta ruajtur shëndetin.

“Është konstatuar shkencatarisht që sa më shumë të rinj bëjnë sport, aq më mirë qëndrojnë me shëndetin. Në Maqedoninë e Veriut mendoj se shteti, por edhe presidenti, edhe qeveria duhet të investojë sa më shumë në ndërtim të terreneve sportive ose në jetën sportive të të rinjve. Është investuar një periudhë, por ka pasur edhe stagnime dhe mendoj se ka zona dhe rajone në Maqedoni ku aspak nuk ka teren sportiv”, u shpreh Taravari.

Taravari po ashtu tha se Maqedonia e Veriut ka sportistë të dalluar në botë, ndërsa shteti duhet t’i ndihmojë këto sportistë, posaçërisht të rinjtë dhe sportistët që dalin në pension.

“Maqedonia e Veriut është prodhuese e mirë e sportistëve të shkëlqyer të cilët tashmë janë të promovuar në botë, në sporte të ndryshme. Unë mendoj se shteti duhet t’i ndihmojë ato, sidomos me subvencione, por ata të cilëve u mbaron karriera, shteti duhet t’u sigurojë rrogë që të kenë jetë cilësore dhe të dinjitetshme pas mbarimit të karrierës sportive”, tha Taravari.

Taravari me aktivitet sportiv shënoi Ditën Ndërkombëtare të Sportit

Exit mobile version