Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka shprehur qëndrimin e tij dhe partisë të cilën drejton, në lidhje me mekanizimin e Ballkanit të Hapur, nismë kjo e cila paradokohe u braktis nga ana e qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
“Dua të siguroj qytetarët se Aleanca për Shqiptarët desolidarizohet nga çdo nismë e re e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në kuadër të mekanizmit tanimë të abortuar, të njohur si Ballkani i Hapur”, ka shkruar Taravari.
Ai vlerëson se me daljen e Republikës së Shqipërisë nga Ballkani i Hapur, këtij mekanizmi nuk i ka ngelur as kuptim e as legjitimitet.
“Mekanizmat duplifikuese dhe jo inkluzive që krijojnë një Ballkan Perëndimor me dy shpejtësi, nuk i ndihmojnë frymës integruese në rajon. Rruga përpara është e qartë: marrëveshjet tanimë të nënshkurara në kuadër të Ballkanit të Hapur, duhet të integrohen në tërësi dhe të zbatohen në kuadër të Procesit të Berlinit, duke filluar nga samiti i tetorit në Tiranë”, ka shkruar Taravari duke shpalosur kështu qëndrimin e tij dhe partisë së tij.