Ditën e djeshme në parlamentin e RMV-së u zhvillia takim i një delegacioni parlamentar dhe përfaqsuesin special të BE-së,z.Zhozef Borell.Ne këtë takim përfaqsuesi i Aleancës për Shqiptarët ishte deputeti Halil Snopçe.Snopçe pas takimit pati një komunikim me publikun nëpërmjet rrjetit social Facebook ku thekson mesazhe te rendesishme te cilat i ka adresuar në këtë takim.Më poshtë ju sjellim statusin e plotë
“Bashkë me Kryetarin e Parlamentit, z. Xhaferi, si përfaqësues i Aleancës për Shqiptarët pritëm përfaqësuesin special, z. Zhozef Borel.
Në takim pata rastin që edhe njëherë të potencoj faktin se Aleanca për Shqiptarët është partia që ka kredibilitetin më të lartë moral të flet për procesin eurointegrues, sepse është partia e vetme e cila edhe pse ka qenë në opozitë, pa asnjë kushtëzim, jo vetëm se i ka përkrahur, por ka qenë edhe vendimtare për shumë vendime në këtë proces. Përsërita edhe njëherë se ne ishim partia vendimtare që me dy deputetët e saj e rrëzuam regjimin e Gruevskit. Ishim vendimtarë në përkrahje të Marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit që ishte kusht për anëtarësimin në NATO. Së fundi, ishim partia vendimtare në miratimin e Propozimit Francez, që hap rrugën për nisjen e negociatave për anëtarësimin në EU. Tash në këtë vit vendimtar për procesin integrues, kur janë të patjetërsueshme ndryshimet kushtetuese, sollëm edhe një vendim shumë të rëndësishëm, e ai ishte vendimi për të qenë pjesë e Qeverisë që të bëjmë hapin përfundimtar për nisjen e negociatave. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese, mund të humbim këtë mundësi të artë dhe se kur do të ketë ofertë tjetër është vështirë të parashikohet. Pra, nëse na ikë edhe kjo mundësi, atëherë rrezikojmë të ardhmen evropiane të shtetit.
Poashtu, në takim citova deklaratën e z. Borel para ambasadorëve të BE-së, kur ai tha se Evropa përballet me pasojat e shkëputjes së burimeve të mirëqenies nga burimet e sigurisë si pasojë e agresionit rus në Ukrainë. Z. Borel atëherë tha se mirëqenia e Evropës ka qenë e bazuar në çmimin e lirë të energjisë nga Rusia dhe nga tregu i lirë kinez. Kjo supozohej të ishte e leverdishme dhe e qëndrueshme për Evropën, por ja që pas agresionit u dëshmua që nuk qenka ashtu. Pra, ky parashikim i Evropës paska qenë i gabuar. Theksova se parashikimet, posaçërisht për shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të bazohen në analiza të qarta. Duhet të bazohen në faktet historike. Pra, në asnjë mënyrë nuk duhet të sillen vendime duke u bazuar në probabilitet. Politika nuk duhet të jetë probabilitet. Në të kundërtën do të ishte risk.”-Thekson Snopçe në statusin e tij në rrjetin social Facebook