Smart News

Sot nis faza portokalli në Maqedoni! Rekomandohet lirimi nga puna i kategorive të rrezikuara, kujdes me ushqimin

Prej sot vendi hyn në fazën portokalli (alert). Temperaturat ditore, siç njofton DPHM, në disa pjesë do të jenë mbi 40 gradë.

Në fazën portokalli do të hyjnë të gjitha rajonet në vend: Shkupi, Osogovë-Malesheva, Pellagonia dhe Ohër-Prespa.

Për shkak të motit të nxehtë, Qeveria rekomandon: lirimin nga detyrimet e punës të grupeve më të rrezikuara të popullsisë, si gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, të keni kujdes gjatë blerjes, konsumimit dhe ruajtjes së ushqimit për të evituar helmimet, si dhe të ruhen manarët dhe kafshët shtëpiake për të cilat temperaturat e larta mund të jenë stres i madh.

Faza portokalli, sipas parashikimit, do të zgjasë deri më 16 korrik, ndërsa nga sot fillojnë të vlejnë rekomandimet për uljen e rreziqeve nga temperaturat e larta, sipas Planit të Veprimit të Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e pasojave të valëve të të nxehtit në shëndetin e njerëzve.

“Nga sot e deri të dielën i gjithë territori i vendit do të përfshihet nga temperaturat e fazës portokalli dhe për këtë arsye po futen masa dhe rekomandime për mbrojtjen e qytetarëve nga temperaturat e larta për një kohëzgjatje prej katër ditësh, deri më 16 korrik, përkatësisht deri në marrjen e vendimeve të mëtejshme. Rekomandohet irimin nga detyrimet e punës të grupeve më të rrezikuara të popullsisë, si gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç. Në ambientet e kujdesit për fëmijët (kopshtet), nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët nuk duhet të nxirren jashtë në mes të orës 11:00 dhe 17:00, thekson Qeveria.

Njëkohësisht propozohet, njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit, të ofrojnë ndihmë për personat e vetëm, të moshuar, të dobët dhe të pastrehët. “Duke e marrë parasysh se disa procese të rrezikshme të prodhimit dhe teknologjisë mund të paraqesin rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, punëdhënësve u kujtohet detyrimi për respektimin e rregullave ligjore në këtë fushë.

Qeveria vendosi që autoritetet shtetërore, ndërmarrjet dhe institucionet publike të respektojnë rekomandimet. Qeveria i rekomandon sektorit privat që të organizojë orarin e punës në mënyrë që punëtorët të mbrohen nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell, mbi të gjitha duke shmangur qëndrimin jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00.

“Të gjitha subjektet juridike që kryejnë veprimtari në natyrë, të ndërpresin veprimtarinë në periudhën nga ora 11:00 deri në ora 17:00, e kjo veçanërisht vlen për punën e punëtorëve të ndërtimit. Kopshtet duhet të organizojnë orarin e tyre të punës nga ora 07:00 deri në 17:00, në mënyrë që të mos ushtrojnë aktivitet fizik dhe fëmijët të mos dalin jashtë pas orës 11:00”, theksoi Qeveria dhe potencoi se organet kompetente monitorojnë në vazhdimësi situatën lidhur me temperaturat e motit për të ndërmarrë sa më shpejt masat e duhura për mbrojtjen e qytetarëve.

Në ushqim të shmangen majonezi, keçapi, krem sallatat dhe salcat

Agjencia për ushqim dhe veterinari (AUV), nga ana tjetër, doli me rekomandime për ushqimin, manarët dhe kafshët shtëpiake.

“Me rritjen e temperaturave rriten edhe rreziqet potenciale nga dukuria e helmimit me ushqim. Në mënyrë që të parandalohet dukuria e mundshme e helmimit me ushqim, është e domosdoshme të bëhet zgjedhja dhe furnizimi i rregullt, të sigurohen transporti dhe kushtet për ruajtje. ushqimi duhet të blihet nga vende të kontrolluara ku ka kushte që prodhiemt, posaçërisht ato që prishen lehtë, me prejardhje nga kafshët, të ruhen në pajisje ftohëse. Gjatë blerjes duhet të mbahet llogari për pamjen, afatin e përdorimit dhe ruajtjen adekuate të ushqimit”, thekson AUV.
AUV rekomandon të evitohet blerja dhe konsumimi i ushqimit me ambalazh të dëmtuar, prodhimet e ftohura apo të ngrira të blihen në fund të blerjes, ndërsa ushqimi që prishet lehtë, si mishi, qumështi, vezët dhe prodhime të tjera të mos ruhen gjatë në automobil dhe në mjete tjera të transportit, Duhet të evitohet edhe blerja e ushqimit që prishet lehtë i cili ruhet jashtë frigoriferëve apo ngrirësve në fillim të blerjes.

Kur bëhet fjalë për konsumim të ushqimit në objekte hotelierike, duhet të mbahet llogari ato të jenë operatorë të cilët kujdesen për higjienën dhe sigurinë e ushqimit dhe të kenë reputacion të mirë.

Temperaturat e larta stres për kafshët

Në lidhje me manarët dhe kafshët shtëpiake, Agjencia bën me dije se duhet të respektohen rekomandimet për të shmangur goditjen nga nxehtësia.

“Të evitohen shëtitjet me kafshët shtëpiake gjatë periudhës më të nxehtë të ditës, kafshëve t’u sigurohet një sasi e mjaftueshme dhe disponueshmëri e vazhdueshme e ujit të freskët dhe të pastër, të sigurohet qëndrim në dhoma të ajrosura!, thekson AUV.

Agjencia bën me dije se rritja e temperaturave mbi 30 gradë te kafshët shtëpiake mund të manifestohet me ulje të konsumit të ushqimit, rritje të nevojës për ujë, ulje të prodhimit të qumështit dhe rritje të dobët.

Sipas rekomandimeve, në kushte të tilla kafsha duhet të vendoset në një hapësirë të freskët, ku ka sasi të mjaftueshme të ajrit dhe t’i jepet një sasi e mjaftueshme e ujit të freskët. Temperatura e trupit duhet të ulet duke bërë dush/spërkatje me ujë mesatarisht të ftohtë ose duke mbuluar kokën dhe qafën me një peshqir të ftohtë dhe të lagur, por duhet pasur kujdes që ftohja e kafshës të mos jetë shumë e shpejt.

Rekomandimet janë publikuar të plota në faqen zyrtare të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Exit mobile version