Sopotasit këmbëngulin për dëmshpërblim, kërkojnë marrëveshje me ministrin e Drejtësisë

e postuar më at 20:01
68 0

Të dënuarit në arrati për rastin Sopoti kërkojnë marrëveshje të drejtpërdrejtë dëmshpërblimi me ministrin e Drejtësisë, Bojan Mariçiq. Kërkesa e tyre vjen pas mohimit të Qeverisë për dëmshpërblim me ndërmjetësimin e Avokatit të Shtetit që procedura të mos zvarritet në Gjykatën Civile. Të premten, avokati mbrojtës Vullnet Paçuku ka dorëzuar kërkesën për marrëveshje në ministri nga ku pret përgjigjen pozitive.

Shtetasit Selman Jahiji, Bashkim Ukshini, Afrim Ukshini dhe Musa Klaiqi kërkojnë nga Maqedonia e Veriut dëmshpërblimin e dëmit material për shkak të cenimit të personalitetit, nderit, lirive dhe të drejtave, për frikën e shkaktuar dhe dënimin e pabazë, me vlerë prej 8 milion denarë në afat prej 15 ditëve nga dita e arritjes së marrëveshjes – thuhet në kërkesën e Sopotasve për marrëveshje dëmshpërblimi.

Nga ministria e Drejtësisë thonë se kërkesa e palës paditëse është pranuar dhe se për momentin po shqyrtohen veprimet e mëtejme.

Kërkesa për marrëveshje është pranuar. Po punojnë në shqyrtimin e saj dhe ndërtimin e strategjisë se si do t’i qasemi. Opinioni do të njoftohet në kohë për vendimin e ministrit – njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Në rast se arrihet marrëveshje mes ish të dënuarve dhe ministrit Mariçiq, e njëjta duhet të kalojë në Qeveri për t’u hapur më pas rruga e zbatimit të saj deri në shpagimin e dëmit. Më 7 mars të vitit 2019 Qeveria dëmshpërbleu 6 ish të dënuarit në rastin Sopoti me 73 milion denarë. Në këtë grup ishin personat të cilët kishin vuajtur dënimin me burg për veprën terrorizëm./Alsat

nga kategoria