Një i ashtuquajtur sondazh i shpërndarë nga përfaqësues të koalicionit VLEN, dhe që i atribuohet një subjekti të quajtur “UBO”, ngre dyshime serioze për vërtetësinë dhe besueshmërinë e tij. Sipas analizës së bërë, ky “sondazh” nuk ka asnjë element transparent ose metodologjik që ta klasifikojë si të besueshëm.
Nuk dihet periudha e realizimit, nuk dihet numri dhe forma e të anketuarve, nuk ka as infogramë, as tabela, as statistika, madje as emri i porositësit nuk publikohet. Ai nuk figuron as në faqen zyrtare të kompanisë së përmendur, çka e bën këtë publikim një produkt të pakontrolluar dhe jashtë çdo standardi profesional të matjeve të opinionit publik.
Ky material i dyshimtë duket se është shpërndarë me të vetmin qëllim: të relativizojë dhe diskreditojë anketën serioze të MKD.mk, e realizuar në bashkëpunim me agjencinë e njohur “Market Vision”, e cila njihet për saktësi në parashikime dhe rezultate që janë konfirmuar në ciklet zgjedhore të mëparshme.
Sondazhi i “UBO”-s, pa burime, pa metodologji, pa komunikatë zyrtare dhe pa asnjë transparencë, është një manipulim i dështuar dhe tentativë e qartë për të mashtruar opinionin publik në një moment kritik politik për koalicionin VLEN, që po përballet me rënie drastike të mbështetjes, sipas të dhënave zyrtare të sondazheve kredibile.