Smart News

Snopçe pyet Kryeministrin: A do ta shfuqizoni vendimin për uljen e numrit të këshilltarëve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, në seancën e fundit të Kuvendit ka ngritur një çështje të rëndësishme që ka të bëjë me legjitimitetin e vendimit të qeverisë për uljen e numrit të këshilltarëve nëpër Komuna, duke u mbështetur në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se ndarja e popullsisë në rezidentë dhe jorezidentë ishte kundërkushtetuese.

“E pyeta kryeministrin nëse qeveria do ta shfuqizojë vendimin për uljen e numrit të këshilltarëve në Komuna, tani që Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar metodologjinë e regjistrimit që bazohej në ndarjen antikushtetuese të popullsisë”, – deklaroi Snopçe.

Sipas deputetit, Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë se drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave ka tejkaluar kompetencat, duke ndarë popullsinë në mënyrë të paligjshme.

“Si pasojë, vendimi i qeverisë për uljen e numrit të këshilltarëve nga ky moment është i pavlefshëm”, – shtoi ai.

Megjithatë, përgjigja e kryeministrit, sipas Snopçes, ishte befasuese dhe e pakuptimtë:

“Përgjigja e kryeministrit ishte e çuditshme. Ai potencoi se Gjykata Kushtetuese nuk mund të jetë ligjvënës, se nuk mund të tregojë se si duhet të punohet, por vetëm të deklarohet për zgjidhjet ligjore. Kjo është relativizim i rrezikshëm i një vendimi të prerë gjyqësor”, – theksoi deputeti.

Ai nënvizoi se standardi i dyfishtë është i papranueshëm:

“Nëse për ‘balansuesin’ dhe për gjuhën shqipe thuhet se duhet të respektohen vendimet e gjykatës, atëherë pse nuk respektohet ky vendim që ndikon direkt në përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në pushtetin lokal?”, – pyeti Snopçe.

Në fund, Snopçe lëshoi edhe një apel publik për VLEN-in, që është pjesë e shumicës qeveritare:

“Kërkojmë prononcim edhe nga VLEN-i. A do të inicojnë ndryshimin e vendimit të qeverisë, apo si zakonisht do të heshtin dhe do të pajtohen me kryeministrin në heshtje?”

Exit mobile version