Deputeti nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe në emisionin “ClickPlus” tha se BDI po flet si parti opozitare dhe është pikërisht kjo parti e cila duhet të japë llogari për përfshirjen e Rusisë në partitë politike, mediat, shoqërinë e Maqedonisë, infrastrukturën dhe në ekonominë e vendit.
“Ali Ahmeti tha se Rusia është prezente në partitë politike në vendin tonë, në mediat tona, në shoqërinë tonë, në infrastrukturë dhe në ekonominë tonë. BDI po flet si parti opozitare dhe jo si parti që për 22 vjet është në pushtet”, tha Snopçe.
Sipas tij, në qoftë se Rusia është prezente aq thellë në instanca shtetërore, parashtrohet pyetja se çka ka bërë Ali Ahmeti dhe BDI-ja.
“BDI nuk është opozitë, ata janë bashkfajtorë të përfshirjes së Rusisë në vend. Nëse Rusia ka hyrë aq thellë në vendin tonë, qytetarët janë ata që duhet ta bëjnë ndryshimin për një parti tjetër, për një front tjetër që do ta ndalojë përfshirjen e Rusisë”, thotë Snopçe.
Snopçe shtoi se BDI-ja në pushtet ka bërë që të mos vendosen sanksione ndaj Rusisë, dhënien e pasaportës për narkodilerin rus Onisçenkon rritjen e shkëmbimin tregtar me Rusinë, rastin Daka – Davidkoviç dhe se Bujar Osmani ka bërë të mundshme ardhjen e Lavrovit në Shkup.