Deputeti i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Halil Snopçe, ka reaguar sërish lidhur me pengimin e interpelancës ndaj Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, duke akuzuar shumicën parlamentare dhe posaçërisht deputetët e koalicionit VLEN se u rreshtuan në anën e gabuar të historisë, shkruan Flaka
“Kjo interpelancë u pengua nga shumica parlamentare. Ne dëshironim vetëm të flasim për të vërtetën. Ajo duhet të dalë në shesh,” – deklaroi Snopçe në një prononcim publik.
Deputeti theksoi se qëllimi i interpelancës nuk ishte delegjitimimi i Gjykatës Kushtetuese, por parandalimi i devijimit të saj nga misioni kushtetues:
“Nuk themi se Gjykata Kushtetuese po bëhet e paligjshme, por me këtë sjellje po bëhet e kotë në ekzistencën e saj.”
Snopçe kritikoi ashpër edhe përfaqësuesit e VLEN-it për mosmbështetjen e interpelancës, duke përdorur një thënie filozofike për të përshkruar qëndrimin e tyre:
“U drejtova atyre që e penguan daljen në dukje të kësaj të vërtete, ku fatkeqësisht u reshtuan edhe deputetët e VLEN-it, duke cituar një thënie filozofike se ‘vetëm për budallenjtë e vërteta është si një pishtar që e ndriçon mjegullën pa mos e shpërndarë atë’.”
Deputeti i ASH-së vuri në dukje dallimin themelor mes gjykimit politik dhe gjykimit juridik, duke nënvizuar se roli i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese nuk është të japë deklarata politike:
“Gjykimi politik dhe gjykimi juridik janë dy gjëra të pakrahasueshme. Kryetari i Gjykatës nuk guxon të japë gjykime politike. Deputetëve u takon të flasin për këtë të vërtetë.”
Deklarata e Snopçes vjen në vazhdën e një debati të ashpër mbi kompetencat dhe qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese në raport me të drejtat e qytetarëve shqiptarë dhe interpretimin e ligjeve për gjuhën dhe simbolet kombëtare. /Flaka/