Në një kohë kur drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë qytetarët, heshtja e zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti përballë dënimit të menjëhershëm të një të riu shqiptar që mbante një flamur me mbishkrimin “autoktonus” është e papranueshme dhe thellon ndarjet etnike në vend.
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopce, ka reaguar ashpër ndaj këtij rasti duke theksuar se Mexhiti, në vend që të mbrojnë qytetarët shqiptarë nga diskriminimi, po zgjedhin të heshtin përpara parullave raciste dhe gjyqësorit të njëanshëm – vetëm për të ruajtur karrigen në qeverinë e përbashkët me VMRO-në.
“Si zëvendëskryeministër, Mexhiti nuk mund të shmangë përgjegjësinë. Mosreagimi nuk është shenjë fuqie, por mungesë guximi dhe pushteti. Në politikë, pikërisht përgjegjësia është ajo që sjell ndryshimin”, shkruan deputeti Snopçe në reagimin e tij në rrjetet sociale.
Ai shton se ndëshkimi i shqiptarëve për shprehje identitare, ndërkohë që urrejtja dhe racizmi kundër tyre kalon pa asnjë reagim institucional, është një padrejtësi që nuk mund të fshihet me heshtje.
“Ne kërkojmë drejtësi dhe përgjegjësi për diskriminimin etnik që po legjitimohet me heshtjen e pushtetit,” përfundoi Snopçe.