Kaluan 14 ditë që kur Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, me bujë të madhe njoftoi se nga 1 Korriku, 300 punonjës shëndetësor do të mund të parkojnë në parkingun e Qendrës Tregtare Limak. Kaloi afati, por asgjë nuk ndodhi. Zero zbatim, zero transparencë, dhe – si duket – zero interesim për të mbajtur fjalën e dhënë.
A është kjo vetëm një tjetër prezantim për Facebook apo një tjetër dështim praktik i Ministrisë? A mos Ministri Aliu nuk arrin t’i bindë as vetë mjekët, apo ndoshta është përballur me një të vërtetë të pakëndshme – se ka gabuar rëndë dhe s’mund ta zbatojë vendimin që vetë e shpalli me entuziazëm?
Në vend se të japë llogari, Ministri dorëzon një informatë në Qeveri, ku pranon pafuqinë e tij dhe propozon që gjithçka t’i kthehet Qytetit të Shkupit. Një akt që më shumë se mençuri tregon kapitullim dhe mungesë përgjegjësie.
Ironikisht, ndërkohë që nuk mund të sigurojë as parkim për 300 mjekë, Ministri ka gjetur kohë të nënshkruajë kontrata tenderësh me vlerë prej miliona eurosh. Pra, për tenderë ka vendim, kohë dhe firmë. Për mjekët dhe shëndetësinë publike – vetëm premtime boshe.
Ky është realiteti i zymtë i Ministrisë së Shëndetësisë nën drejtimin aktual: më shumë propagandë se punë, më shumë show se zgjidhje, dhe mbi të gjitha – më shumë interesa se vizion.