Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar ndaj punësimeve të fundit në njësinë HEC Mavrovë në Gostivar, të cilat sipas tij janë një tjetër “sukses spektakular i VLEN-it”, por këtë herë në dëm të shqiptarëve.
Snopçe thekson se janë shpërndarë 35 kontrata pune, prej të cilave 29 për maqedonas dhe vetëm 6 për shqiptarë. Ai paralajmëron se numri i të punësuarve do të rritet në ditët në vijim deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, që përfshin 55 punësime për maqedonas dhe vetëm 10 për shqiptarë.
“Për mua është e paqartë: A mos vallë VLEN nuk ka anëtarësi në Gostivar për të gjetur edhe katër shqiptarë, apo kjo është thjesht një tjetër shërbim që po i bëjnë VMRO-së në këmbim të votave që presin në zgjedhjet e ardhshme?”, shkruan Snopçe.
Snopçe kujton se në këtë institucion shqiptarët historikisht nuk kanë qenë të përfaqësuar në mënyrë të drejtë dhe në vend që të përmirësohet kjo përqindje, VLEN po e zvogëlon edhe më shumë përfaqësimin e tyre.
Një marrëveshje 55 me 10 është e papranueshme dhe tregon qartë disfavorin që VLEN pranon për shqiptarët, ka përfunduar Snopçe.