Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Maqedonisë së Veriut ka refuzuar punësimin e 155 motrave medicinale, të cilat për një kohë të gjatë ishin në grevë. Në dokumentin e publikuar nga dr. Haris Karaxhenemi, shihet qartë se Fondi i ka kthyer përgjigje negative Ministrisë së Shëndetësisë, duke e informuar se nuk ka mjete financiare për realizimin e këtij punësimi.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, vazhdon të heshtë dhe nuk ka dhënë asnjë deklaratë lidhur me këtë situatë, e cila po cilësohet si një skandal, raporton Top24.
Më herët, Top24 e kishte pyetur ministrin Aliu nëse ky është një mashtrim publik, duke pasur parasysh se në buxhetin aktual nuk janë paraparë mjete për këto punësime, ndërsa afati për rishikimin buxhetor ka kaluar. Gjithashtu, procedurat administrative aktuale nuk lejojnë rregullimin e statusit të të punësuarve për shkak të shpalljes së zgjedhjeve lokale.