Smart News

Sindikata godet problemet në shëndetësi: Parkim i pasigurt, mungesë digjitalizimi dhe urgjenca në kolaps – kërkesa të qarta për ministrin e ri

Pas emërimit të ministrit të ri të Shëndetësisë, Azir Aliu – reagimet nuk kanë munguar nga sektori sindikal. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punonjësve Shëndetësorë, Bobi Bojçevski, përmes një deklarate për PressOnline.al ka theksuar nevojën urgjente për një qasje profesionale dhe menaxheriale në udhëheqjen e sektorit shëndetësor në Maqedoninë e Veriut.

“Ne si lëvizje sindikale gjithmonë kemi kërkuar dhe kemi shpresuar që në krye të Ministrisë së Shëndetësisë të vijë një menaxher i vërtetë, një person që ka vizion dhe aftësi për të zbatuar reforma të domosdoshme në këtë sektor. Kërkojmë një ministër që e njeh sistemin nga brenda dhe që nuk do t’i shërbejë interesave politike, por qytetarëve dhe punonjësve të shëndetësisë”, deklaroi Bojçevski.
Sipas tij, sistemi aktual shëndetësor ka nevojë për transformim rrënjësor, që mund të realizohet vetëm nëse udhëhiqet nga persona të përgjegjshëm dhe të aftë për të marrë vendime të guximshme.

“Ne nuk kemi nevojë për figura dekorative, por për profesionistë që e dinë se çfarë kërkon realisht sektori i shëndetësisë. Të gjitha kërkesat tona janë të drejta, dhe presim që ministri i ri të dëgjojë zërin e punonjësve që janë shtylla e këtij sistemi”, shtoi Bojçevski.
Ai rikujtoi se sindikata është e hapur për bashkëpunim dhe për dialog konstruktiv, por njëkohësisht do të jetë e zëshme dhe e vendosur kur bëhet fjalë për të drejtat dhe dinjitetin e punonjësve shëndetësorë.

Një nga problemet më të mëdha dhe të vazhdueshme me të cilat përballen pacientët dhe stafi mjekësor në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup është mungesa akute e parkimit. Kështu deklaron Sindikata e Pavarur e Punonjësve Shëndetësorë dhe e personelit administrativ-teknik, duke alarmuar për gjendjen e rënduar me automjetet e dëmtuara dhe mungesën totale të sigurisë në hapësirat ekzistuese.

“Sipas statistikave tona, 99% e të punësuarve në Qendrën Klinike kanë pasur probleme me automjetet e tyre – nga dëmtimet dhe gërvishtjet, deri te pamundësia për të gjetur një vend të sigurt parkimi. Shkojnë me veturë të padëmtuar, kthehen me veturë të dëmtuar. Nuk ka kamera, nuk ka përgjegjës, nuk ka askënd për të mbuluar dëmin,” thuhet në reagimin sindikal të siguruar nga PressOnline.al
Sindikata i bën thirrje institucioneve kompetente, përkatësisht Qendrës Klinike, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ndërmarrjes Publike për Parkim, të bashkëfinancojnë ndërtimin e një garazhi me kate, i cili do të ishte zgjidhje ekonomike dhe afatgjatë për këtë problem.

“Ky objekt do të ishte ndër më profitabilët në të gjithë kompleksin e klinikave, sepse përveç stafit do të shërbente edhe për pacientët dhe vizitorët,” thuhet më tej në reagim.
Në të njëjtën kohë, Sindikata ngrit edhe një pyetje serioze: pse ende nuk është ndërtuar Klinika e re, ndonëse për vonesat po paguajnë penalitete vetë qytetarët?

Sindikata liston pesë prioritete që ministri i ri duhet të ketë në fokus:

1. Punësimi urgjent i stafit shëndetësor dhe teknik, për shkak të mungesës në institucionet publike shëndetësore;
2. Zgjidhja përfundimtare e kontratave të përkohshme me “kontratë vepre”;
3. Regionalizimi i sistemit shëndetësor;
4. Përmirësimi i shërbimit të Urgjencës në qytetin e Shkupit;
5. Investimi në pajisje mjekësore dhe mbështetje për shoqatat brenda sektorit shëndetësor.

Sindikalistët nga Qendra Klinike “Nënë Tereza” në Shkup kanë ngritur një sërë shqetësimesh serioze për kushtet e punës dhe shërbimeve për pacientët, duke i dërguar një listë me kërkesa të qarta ministrit të ri të Shëndetësisë.

Në deklaratën e Sindikatës së Pavarur të Punonjësve Shëndetësorë dhe personelit administrativ-teknik, theksohet si problem madhor mungesa e hapësirave të sigurta për parkim, dëmtimi i përditshëm i automjeteve të stafit, mungesa e kamerave dhe përgjegjësisë për dëmet.

“Shkojnë me veturë të padëmtuar, kthehen me veturë të dëmtuar. 99% e të punësuarve kanë përjetuar ndonjë dëmtim. Nuk ka kamerë, nuk ka as përgjegjës, e as zgjidhje,” thuhet në deklaratë.

Sindikata propozon ndërtimin e një garazhi me kate me bashkëpunim institucional mes Klinikës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ndërmarrjes Publike të Parkimit, me vlerë të lartë ekonomike dhe efekt të menjëhershëm.
Përveç infrastrukturës, një çështje e nënvizuar është digjitalizimi i sistemit shëndetësor, që mbetet prapa standardeve moderne.

“Ende përdorim libreza shëndetësore, receta dhe referime në letër, si dhe vërtetime që lëshohen me dorë. Sistemi ‘Termini im’ duhet të zgjerohet dhe të modernizohet. Duhet të kemi një kartelë digjitale shëndetësore, me të cilën pacienti të paraqitet te mjeku amë apo specialist – si në çdo shtet të BE-së. Mjaft më me letra.”(PressOnline.al)

Exit mobile version