Ai gjithashtu shtoi se nga punimet e grupit punues është marrë vendim, që mos të shkohet me ngrirje të çmimeve të produkteve, por të kufizohet marzha e fitimit deri në 10% për 100 produkte.
“Përgjatë javës, grupi i punës arriti në konkluzion dhe i bëri të gjitha përllogaritjet e duhura, ku propozimi i tyre dhe i Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës është dorëzuar në Qeveri dhe pritet i njëjti të miratohet. Propozimi është që të shkohet me marzhë të bruto fitimit prej 10% të artikujve ushqimorë bazik, produkteve bujqësore dhe në këtë formë të dëmtohen edhe tregtarët.”, – deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Rikthimin e masës për kufizimin e çmimeve fillimisht e kundërshtuan odat ekonomike në vend, por pas dëgjimit të kërkesave të tyre, të njëjtat janë përfshirë në masën që do të ndërmerren, shton ministri i Ekonomisë, Durmishi.
“Ka pasur kritika nga dhomat ekonomike, pasi që nuk ishin të informuar mirë se në çfarë forme do të realizohet kjo masë. I informova, që kjo do të jetë masë që do të zgjasë për një periudhë të caktuar mund të jetë një muaj, 15 ditë, 45 ditë, në varësi se si do ta shohim të arsyeshme. Dhanë vërejtjet dhe propozimet e tyre, të cilat i inkuadruam në këtë shportë konsumatore dhe më në fund dolëm me një propozim, të cilën e dërguam deri në Qeveri.”, – theksoi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Ndryshe vetëm për muajin e kaluar, shporta konsumatore në vend u rrit për 629 denarë dhe e njëjta ka arritur në 61.199 denarë.
Sipas të dhënave të lidhjes së sindikatave, qytetarët më shumë para apo rreth 22.317 denarë nga shporta konsumatore harxhojnë vetëm për blerjen e produkteve ushqimore bazë.