Shkupi notë proteste Sofjes zyrtare për videon e VMRO-së bullgare

93 0

“Maqedonia është bullgare dhe Bullgaria është mbi të gjitha”.

Vetëm një ditë më parë Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut u zotua se nuk do të përfshihej në atmosferën parazgjedhore dhe për këtë qëllim nuk do të reagojë ndaj notës së protestës së Bullgarisë, ndryshoi mendje. Reagoi me notë proteste ndaj videos së VMRO-së bullgare, sipas së cilës Maqedonia është bullgare.

Këto deklarata nuk kontribuojnë në përpjekjet për thellimin e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit mes dy shteteve. Retorika në të cilën shprehen pretendime territoriale ndaj fqinjëve nuk i ngjan shteteve aleate në NATO dhe një shteti anëtar të BE-së, është në kundërshtim të drejtpërdrejt me idealet dhe vlerat e BE-së, për të cilat dy shtetet janë fuqishëm të angazhuara – njoftojnë nga Ministria e Jashtme, Shkup.

Edhe diplomacia bullgare u distancua nga videoja.

Ministria e Jashtme e konsideron materialin në fjalë të papërshtatshëm. Theksojmë që mesazhet e shprehura në video nuk shprehin pozicionin zyrtar të Qeverisë bullgare. Bullgaria nuk ka pretendime territoriale ndaj vendeve të tjera dhe kjo është deklaruar vazhdimisht – njoftojnë nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë.

Përmes një videoje të mëparshme të ilustruar me fotografitë e Car Samoilit e Goce Dellçevit, VMRO-ja bullgare zotohej se do ta mbronte historinë, por videon e fundit, opinioni e cilësoi si skandaloze.

“Të dashur udhëheqës të përkohshëm të Maqedonisë sonë, Maqedonisë sime, nuk mund të jetoni në shekullin 21 pa e pranuar shekullin 20! Sa më shumë që gënjeni, aq më shumë do të shkëlqejë e vërteta. Sa më ashpër ta trilloni tregimin tuaj imagjinar, aq më fuqishëm do të shkatërrohen themelet e rreme mbi të cilën e keni ndërtuar të tashmen mizore. Sa më shumë që e urreni Sofjen, aq më bullgar mbetet Ohri”.

Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Bullgari, janë shtuar tensionet dypalëshe. Së fundmi, Sofja e thirri në bisedë ushtruesin e detyrës ambasador të Maqedonisë së Veriut për analizat e Institutit IFIMES, sipas së cilave Bullgaria ishte bërë mjet i ndikimit rus në rajon. Ndërsa i dorëzoi notë proteste Shkupit, meqë në vend u pengua importimi i rreth 1000 librave.

Administrator

Ky lajmë është postuar nga ana e redaksionit SMART NEWS. - Administratori

nga kategoria