Smart News

Shëndetësia në kolaps, ministri digjital rekomandon: Frymë thellë dhe meditim!

Në një postim që ngjan më shumë me një kartolinë meditimi sesa me një deklaratë zyrtare, Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu u kujtoi qytetarëve rëndësinë e qetësisë shpirtërore në këto kohë të turbullta.

“Midis kaosit, ajo [natyra] na mëson qetësinë! Në rrëmujën e përditshme, ku gjithçka duket urgjente, natyra na kujton se shëndeti dhe qetësia nuk janë luks, por nevojë. Le të ndalemi, të marrim frymë – sepse kujdesi fillon nga vetja!”

Ndërkohë, qytetarët po ndalen – në pritje – në korridoret e spitaleve të tejmbushura, ku qetësia vjen vetëm pas orësh të tëra pa përgjigje mjekësore. Sa për natyrën, ajo mbetet alternativë më e sigurt se urgjencat publike.

Deklarata e ministrit vjen në një kohë kur mjekët protestojnë për kushte pune, pacientët ankohen për mungesë barnash, dhe sistemi shëndetësor ka nevojë për gjithçka – përveç citateve filozofike.

Mesa duket, ministria e Shëndetësisë po shkon drejt një modeli të ri: më pak aparatura, më shumë… frymëmarrje.

Exit mobile version