Vendimin final dhe përgjegjësine e mban Kryetari dhe askush tjetër.
Statuti i Aleancës për Shqiptarët, neni 61, thotë “Kuvendi i Partisë takohet më së paku një herë në 6 muaj.” Mbledhja e fundit e Kuvendit ka qenë më 21 janar 2022, në Kumanovë. Pra, për më tepër se 12 muaj, në vazhdimësi është shtyrë thirrja e Kuvendit të Partisë.
Në anën tjetër, Kuvendi e ka vetëm një kompetencë sa u përket zgjedhjeve dhe ajo përcaktohet në nenin 67, pika 9, ku shkruhet se Kuvendi miraton listat e kandidatëve për deputetë.
Përveç dispozitave statutore, nuk ka as precedent në historinë e Aleancës për Shqiptarët ku Kuvendi i Partisë ka nxjerr vendim për koalicionime apo madje as për futje në qeveri. Në vitin 2017, në mbledhjen e Kuvendit mbajtur në Shkup, ishte miratuar lista e kandidatëve për kryetarë të komunave. Por, në rrethin e dytë të zgjedhjeve Aleanca për Shqiptarët bëri koalicion me Lëvizjen Besa për të mbështetur kandidatët e ndërsjellë. Ky vendim nuk ishte marrë në Kuvend. Po të njëjtin vit, në mbledhjen e Kuvendit mbajtur në Gostivar, vetëm është diskutuar ideja për daljen e Aleancës për Shqiptarët nga qeveria, ndërsa nuk kishte sjellë vendim. Vendimi ishte marrë nga vet Kryetari i Partisë. Në vitin 2020, vendimi për koalicionin me Alternativën, gjithashtu nuk ishte sjellë në Kuvend. Edhe në mbledhjen e Kuvendit mbajtur më 21 janar 2022 në Kumanovë, vetëm është diskutuar (arsyetuar), pjesëmarrja e ASH-së në qeveri, por Kuvendi nuk morri vendim për këtë veprim.
Rrjedhimisht, vendimi për koalicionime i takon Kryetarit të partisë si lider i partisë i zgjedhur drejtpërdrejtë nga Kongresi, në konsultim me organet tjera të partisë, gjë që Arben Taravari tanimë e ka bërë.