Smart News

Shaqiri: VLEN votoi kundër mbrojtjes së shqipes – Ndryshuan për karrige, jo për dinjitet!

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Rijad Shaqiri, ka reaguar ashpër pas votimit të grupit parlamentar të VLEN-it kundër interpelancës për mbrojtjen e gjuhës shqipe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Në një deklaratë të drejtpërdrejtë dhe emocionale, Shaqiri shprehu zhgënjimin e tij ndaj VLEN-it, duke thënë se kishte besuar se ky subjekt politik do të sillte një qasje ndryshe.

“Krejt i kam besuar. Kam menduar se do ishin ndryshe. Por ndryshimi i tyre paska qenë vetëm për karrige – jo për gjuhën, jo për dinjitetin shqiptar,” shkroi ai.

Deputeti theksoi se mbrojtja e gjuhës shqipe nuk është opsion, por detyrim kushtetues dhe moral, dhe se çdo heshtje përballë shkeljes së shqipes është një akt mos-përfaqësimi të vullnetit të shqiptarëve.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur debati për përdorimin dhe respektimin institucional të gjuhës shqipe po bëhet gjithnjë e më i ndjeshëm, ndërsa partitë shqiptare përballen me presionin e elektoratit për të dëshmuar me vepra, jo vetëm me fjalë.(INA)

Exit mobile version