Dje, në Komisionin për Financë dhe Buxhet, u refuzuan amandamentet për ndarjen e një shume simbolike prej 3 milionë denarësh për Universitetin “Nënë Tereza” – një institucion që mbart misionin kombëtar dhe arsimor për mijëra të rinj shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Në të njëjtën mbledhje, u miratua pa asnjë diskutim amandamenti për 5 milionë denarë për kampusin universitar “Goce Delçev”, ka shkruar deputeti i ASH-së Rijad Shaqiri në profilin e tij në Facebook.
Sipas Shaqirit kjo nuk është vetëm shpërndarje e padrejtë e fondeve publike por një mesazh se institucionet shqiptare nuk janë prioritet për këtë qeveri.
Si deputet shqiptar, ndjej zemërim dhe revoltë. Por ajo që ndjej më fort është përgjegjësia për të mos heshtur.Nuk do të jem spektator i diskriminimit të radhës ndaj arsimit shqip. Nuk kam ardhur në Kuvend për të qëndruar i qetë, por për të ngritur zërin aty ku shkelet dinjiteti i shqiptarëve. Në vend që të dorëzohemi, do të luftojmë më fort. Në vend që të hapim rrugë për t’u përulur, do të qëndrojmë më drejt për të kërkuar llogari.
Kjo padrejtësi nuk do të kalojë në heshtje, shkruan Rijad Shaqiri