Shkruan Nafie Selmani
Në qarqe të ndryshme politike, por edhe brenda vetë strukturave të VLEN-it, prej kohësh është përfolur se Lëvizja “Arbëria” nuk është asgjë tjetër veçse krijesë e vetë VLEN-i, për të simuluar zgjerim politik dhe për të dhënë përshtypjen e një fronti më të gjerë shqiptar.
Sot, ky dyshim mori një formë të qartë me nënshkrimin zyrtar të një Marrëveshjeje për bashkëpunim zgjedhor mes tyre. Në letër, ky akt iu paraqit opinionit si “Unitet politik shqiptar” por në realitet ai më shumë dëshmon se cila ka qenë arsyeja reale e themelimit të Lëvizjes Arbëria: krijimi i një aleati fiktiv, që në fakt nuk ekziston si forcë e pavarur politike, por shërben vetëm si zgjatim i VLEN-it.
Ky hap nuk është thjesht bashkëpunim, por më shumë është panik që ka kapluar VLEN-in përballë zgjedhjeve të tetorit. Premtimi madhor për “NDRYSHIM” tashmë ka dështuar keq në praktikë, duke i zhgënjyer votuesit e vetë. Në vend të transparencës, reformës dhe integritetit, VLEN-i prodhoi vetëm zhgënjim dhe një qeverisje të brishtë, ku interesat partiake, grupore, familjare dhe jaranore, mbizotëruan mbi interesin e qytetarëve.
Ajo që ra dukshëm në sy në këtë Marrëveshje ishte mungesa e Koordinatorit të VLEN-it, deputetit pa votues, Bekim Qoku. Kjo ngre disa pyetje të natyrshme: Pse nuk ishte i pranishëm njeriu që deri dje vetë VLEN-i e portretizonte lidhje të marrëdhënieve politike dhe ideologjike me VV dhe Albin Kurtin ? Mos vallë brenda vetë VLEN-it tashmë kanë kuptuar se Qoku, në vend që t’u sillte vota, me sjelljen e tij shpeshherë të pakuptueshme dhe me qasje politike të padefinuar, vetëm se ua ka humbur një numër të konsiderueshëm votash?
Ky distancim nga Qoku, nëse është i qëllimshëm, mund të jetë lëvizja më e arsyeshme dhe më e mençur e VLEN-it në këtë periudhë të ndjeshme, sepse në terren, edhe mes vetë aktivistëve të tyre, ekziston një averzion i madh ndaj Qokut. Dhe kjo nuk është thjesht perceptim personal, por një ndjesi e përgjithshme që qarkullon mes strukturave dhe votuesve të tyre. Nëse nuk besojnë, krerët e VLEN-it, lirisht le t’i pyesin vetë aktivistët dhe anëtarët e partive të tyre!?
Në fund, Marrëveshja VLEN–Arbëria nuk është dëshmi e unitetit, por simptomë e një dobësie politike. Në vend që të rrisin kredibilitetin me vepra e rezultate konkrete, ata përpiqen ta mbulojnë krizën e brendshme me mashtrim bashkëpunimesh, që votuesit tashmë i kuptojnë fare mirë.