Categories: LajmePolitika

Selmani: Antishqiptari Dimitrievski nuk meriton votën e shqiptarëve

Nga Naser Selmani

Gjatë dy javëve të fundit, partitë shqiptare kanë akuzuar njëra-tjetrën për lejimin e ndikimit serb në Maqedoninë e Veriut. Nga reagimet e të dy palëve është krijuar përshtypja se, në fakt, asnjëra nuk mohon se ka toleruar ndikimin serb gjatë kohës kur ka qenë në pushtet. Por thelbi i debatit ka qenë: kush ka promovuar më shumë botën serbe?

Opozita shqiptare me të drejtë e ka fajësuar VLEN-in, se me heshtjen e saj po e miraton politikën pro-serbe të qeverisë së Mickoskit, për shkak të mungesës së fuqisë për ta kundërshtuar.

Nën këtë qeveri, ndikimi i botës serbe nuk është më një spekulim mediatik, por një fakt i konfirmuar nga Bashkimi Evropian, i cili e ka shprehur qartë në raportin e fundit të progresit. Në atë raport kritikohet posaçërisht roli negativ i zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkovikj, një eksponent i qartë i botës serbe dhe simpatizant i partisë së Putinit, Rusia e Bashkuar.

Në anën tjetër, VLEN-i ka akuzuar BDI-në për përfshirjen e saj në projektin amerikan Ballkani i Hapur, i cili synonte ta largonte Serbinë e Vuçiqit nga ndikimi rus.

Por Ballkani i Hapur nuk mund të krahasohet me praninë e një përfaqësuesi të drejtpërdrejt të botës ruso-serbe në qeverinë e tanishme. Ai projekt ishte i sponsorizuar nga SHBA dhe përfshinte edhe Shqipërinë.

Gjithsesi, këto janë zhvillime të së kaluarës që nuk mund të ndryshohen, por nga të cilat duhen nxjerrë mësime.

Nëse VLEN dhe Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) janë sinqerisht të interesuara për ta luftuar ndikimin serb, këtë mund ta bëjnë duke bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet e tyre, pasi kjo është një çështje me rëndësi kombëtare dhe shtetërore. Të paktën kështu janë shprehur publikisht para opinionit shqiptar të dy koalicionet.

Rasti më i mirë për ta dëshmuar këtë vullnet janë zgjedhjet lokale në Kumanovë. Njëri nga kandidatët me gjasa për të fituar është kryetari aktual, Maksim Dimitrievski, udhëheqës i partisë ZNAM, i cili dyshohet për lidhje të forta me Beogradin. Sjellja e tij dhe e funksionarëve të ZNAM-it e kanë forcuar këtë dyshim.

Në Kumanovën e drejtuar nga Dimitrievski, tifozët maqedonas kanë bërë thirrje për shfarosjen e shqiptarëve. Po ashtu, ministrat e ZNAM-it në qeveri kanë mbajtur qëndrime haptazi antishqiptare, duke u angazhuar për shfuqizimin e Balancuesit dhe të votimit të dyfishtë të Badinterit.

Afarësia e Dimitrievskit me Serbinë dhe qëndrimet antishqiptare të ZNAM-it janë arsye të mjaftueshme që VLEN dhe AKI t’u bëjnë thirrje shqiptarëve të mos e votojnë këtë kandidat.

Madje, jo vetëm kaq – në raundin e dytë, ato duhet të ndëshkojnë Dimitrievskin duke mbështetur kundërshtarin e tij, sepse votat e shqiptarëve do të jenë përcaktuese për rezultatin në Kumanovë.

Në zgjedhjet e fundit lokale, Dimitrievski fitoi me mbi 25 mijë vota, duke bashkuar elektoratin e partisë së tij dhe të VMRO-DPMNE-së. Fitorja e tij u mundësua nga rreth 2 mijë vota shqiptare, të cilat këtë herë nuk i meriton.

Duke mos e mbështetur një politikan pro-serb dhe antishqiptar, VLEN dhe AKI do të tregojnë me vepra – jo vetëm me fjalë – se janë të vendosura të luftojnë ndikimin serb dhe të ndëshkojnë politikanët maqedonas me agjenda antishqiptare.

Admin01

Recent Posts

Limani dhe Xhaferi priten ngrohtësisht në Llakavicë dhe Balindoll: AKI unifikon shqiptarët

Në vazhdën e takimeve me qytetarët, kandidati për kryetar të Komunës së Gostivarit nga Aleanca…

1 hour ago

Nga viti në vit, përgatitja e ajvarit dhe turshive po bëhet luks

Asgjë nuk është si më parë, thotë 69-vjeçarja Rada Bojkovska. Në të kaluarën, përgatitja e…

4 hours ago

Sulejmani: Komuna e Zhelinës po falimenton, mbi 6 milionë euro borxh!

Kandidati i AKI-së për Komunën e Zhelinës, Emir Sulejmani, ka ngritur akuza të rënda ndaj…

5 hours ago

Pesë qytetarë kanë dorëzuar ankesa tek Komisioni i Ekspertëve për Kardiokirurgji

Për rastet ku dyshohet për intevenime të panevojshme me stenta nëpër spitalet private të vendit,…

5 hours ago

Kongresmeni amerikan propozon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Kongresmeni amerikan Brian Mast, njëkohësisht kryetar i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e…

6 hours ago

Në Gostivar mbahet Gara e 31-të shtetërore e ndihmës së parë

Dhjetë ekipe që janë kualifikuar në garat rajonale në Gostivar do t’i tregojnë mjeshtëritë dhe…

6 hours ago