Gazetari dhe analisti Seladin Xhezairi, në një prononcim për Flaka, ka komentuar rezultatet e sondazhit të fundit të realizuar nga MKD.mk dhe Market Vision, duke vënë theksin te ndikimi negativ që ka pasur largimi i Aleancës për Shqiptarët ndaj koalicionit qeverisës VLEN.
Driton ZENKU
I pyetur nëse mund të thuhet se VLEN ka humbur elektorat pas daljes së Aleancës nga koalicioni, si dhe për parashikimin e përballjes në zgjedhjet lokale, Xhezairi thekson: “Përtej politikës ditore dhe interesave puro partiake, kujtoj se largimi i grupimit të zotit Taravari dëshmon se Arben Taravari i mbeti besnik një zotimi menjëherë pas zgjedhjeve – se nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese (më duket se përmendi afatin prej gjashtë muajsh), atëherë nuk kanë se çfarë kërkojnë në Qeveri.”
Sipas tij, ndonëse nuk mund të thuhet me saktësi nëse është humbur gjysma e elektoratit, pasoja politike janë të dukshme.
“Pra, nuk e di nëse është gjysma e elektoratit ose jo, por largimi është duke i kushtuar goxha shumë këtij grupimi të vetëquajtur VLEN,” shton Xhezairi, duke paralajmëruar se “çmimi do të dihet në vjeshtë.”
Ky koment vjen në një kohë kur sondazhet po tregojnë rënie të mbështetjes për VLEN-in dhe rritje të besimit ndaj opozitës shqiptare në prag të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në fund të këtij viti. Flaka