Smart News

Saraji, mollë sherri për VLEN – katër parti, pesë kandidatë dhe asnjë marrëveshje!

VLEN, koalicioni që premtoi bashkim dhe reformë, në praktikë po dëshmon të kundërtën. Shembulli më konkret i dështimit të bashkëpunimit të brendshëm është komuna e Sarajit, që është kthyer në arenën e përplasjeve të brendshme për dominim dhe interesa personale.

Levizja BESA, e cila për momentin duket më e zëshme brenda koalicionit, po ngul këmbë për kandidaturën e Hasim Murtezanit, aktualisht zëvendëssekretar në Qeveri dhe njeri i afërt me Adnan Azizin, shefin e shtabit të VLEN-it dhe pretendentin kryesor për lider të ardhshëm të këtij grupacioni politik.

Në anën tjetër, edhe pse pa ndonjë peshë reale në terren, Orhan Murtezani nga Alternativa është vetëshpallur kandidat, duke nxitur habi në qarqet politike për faktin se partia e tij tashmë është pothuajse jashtë loje në shumë komuna.

Nga LD (Lëvizja Demokratike) e Izet Mexhitit, gjithashtu vjen një emër – Muhamed Elmazi, drejtor në “Nomagas”. Burime nga brenda LD-së nuk e fshehin se vetë Mexhiti, i përballur me rrezikun e humbjes në Çair, ka kthyer sytë nga Saraji si “plan rezervë” për të mbajtur ndikimin personal në politikë.

Një tjetër emër që qarkullon në tavolinë është Bashkim Bakiu, i afërt me grupin e Arben Fetait. Por për këtë kandidaturë, më shumë se entuziazëm ka ironi politike – edhe vetë Mickoski, sipas burimeve, e ka qortuar Fetain duke i kujtuar “pretendimet e mëdha me hall të vogël”, duke qenë se grupi i tij nuk ka as parti, as strukturë dhe mbahet aty më shumë për të sharë publikisht Arben Taravarin sesa për të fituar ndonjë komunë.

Situata është tensionuar edhe më shumë pas kërcënimit të Lëvizjes BESA se nëse nuk respektohet pesha e saj në koalicion, do të garojë më vete në disa komuna, përfshirë Sarajin, Tetovën, Tearcën, Bogovinën dhe Zhelinën, ku, siç thonë ata, “të tjerët nuk kanë asnjë vlerë”.

Ky përçarje e brendshme po ndodh edhe pse VLEN prej kohësh kishte premtuar bashkimin në një parti të vetme dhe një qasje të koordinuar për zgjedhjet lokale. Premtime të bukura në fjalë, por të braktisura në praktikë – edhe anketa e fundit që kanë bërë për nevoja të brendshme ka dalë fiasko, dhe pikërisht për këtë arsye asnjë nga kandidatët nuk po promovohet publikisht.

VLEN mbetet koalicioni që flet për bashkim, por vepron me ndarje. E Saraji, siç duket, është vetëm fillimi i një seriali politik ku interesi personal dhe lufta për ndikim kanë marrë përparësi ndaj votuesit shqiptar.

Exit mobile version