Samiti i NATO-s: Të rritet vigjilenca ndaj veprimeve të Rusisë. Osmani: Ballkani ka nevojë për NATO-n dhe BE-në

e postuar më at 20:43
99 0

Ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të NATO-s, përfshi shefin e Diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në iniciativën “NATO 2030” në Samitin e Aleancës në Bruksel, ranë dakord për rritjen e vigjilencës ndaj sulmeve ruse, përfshi tentimin rus për ndikim në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë samit, NATO po ashtu ka analizuar thellë marrëdhëniet me Rusinë dhe largimin e dy diplomatëve rus nga Bullgaria për shkak dyshimeve se të njëjtit kanë kryer spiunazh, në të cilën janë të involvuar edhe funksionarë të lartë të shtetit bullgar.

“Nga afër jemi duke e përcjellë hetimin e qeveritarëve bullgarë për aferën e spiunazhit. NATO seriozisht e ka marrë çështjen e informacioneve të klasifikuara. Ajo që po ndodh në Bullgari është një tentativë tipike ruse që t’i blejnë institucionet bullgare dhe të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.”,- tha Jen Stonterberg Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Në ditën e dytë unanimisht është sjellë vendim që t’i jepet përkrahje e fuqishme dhe të vazhdojë misioni paqeruajtës në Afganistan, me qëllim që ky vend të mos shndërrohet përsëri në vatër të terrorizmit.

“Së bashku shkuam në Afganistan dhe bashkarisht jemi duke punuar, dhe kur koha të jetë e përshtatshme së bashku do të largohemi nga aty. Ne e dimë se largimi do të jetë i rëndë deri në afatin që e kemi vendos, deri më 1 maj, por aktivitetet tona do të jenë të koordinuara si të tilla që mos t’i dëmtojmë aleatet tanë.”,- u shpreh sekretari shtetëror i SHBA-ve, Antony Blinken.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Bujar Osmani, në Samitin e Ministrave potencoi se perspektiva dhe dëshira për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, vetëm rrit dukshëm stabilitetin e siguriës në rajon.

“E potencova nevojën për një bashkëpunim me të thellë strategjik në mes NATO-s dhe BE-së, sidomos në Ballkanin Perëndimor, si një rajon që ka kuptimin e saj në sferën e sigurisë për të dyja organizatat. Sikurse edhe në NATO, perspektiva për integrim në BE mund të rrisë stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë rajonin tonë.”,- tha ministri i punëve të jashtme të RMV-së, Bujar Osmani.

Anëtaret e NATO-s po ashtu potencuan se do të jetë shumë e rëndësishme që partneriteti që ekziston me vendet e Lindjes së Mesme, Afrikës dhe misioni në Irak, të rriten edhe më shumë./Tvm2

nga kategoria