“Partitë e koalicionit VLEN, për momentin de facto janë që të gjitha jashtë qeverisë”, thotë analisti politik Urim Saliu, duke shtuar se në Qeveri ka një padron maqedonas që vetëm kryeministër i gjithë qytetarëve nuk është, që dikton, sipas tij, çdo segment në mënyrë prefekte duke rritur akoma më shumë ndikimin te maqedonasit.
“Liderët e VLEN-it duhet ti kërkojnë llogari Mickoskit në qeveri dhe jo kush duhet të jetë aty nga partitë shqiptare. Është shumë absurde për shembull kur Izet Mexhiti i kërkon Taravarit të largohet nga Qeveria nëse bashkëpunon me BDI-në kur dihet botërisht se vetë kreu i Lidhjes Demokratike ka qenë kokë e krye BDI për dekada rresht. Qëllimi parësor duhet të jetë unifikimi i partive tona në një front të përbashkët për kauzën shqiptare dhe jo kush do zë një copë vend në një qeveri që diktohet fund e krye nga Mickoski, e cila që po realizon në përpikëshmëri qëllimet maqedonase dhe lufton po për kauzën maqedonase”, analizon Saliu.
Izet Mexhiti për gati 20 vite ishte njeriu më i afërt i Ali Ahmetit dhe ishte njëri nga personat që promovonte kauzën e BDI-së. Izet Mexhiti u largua nga BDI-ja pasi ai nuk arriti të bëhet zëvendëskryeministër pasi për shumë vite kishte mbajtur poste të ndryshme.
Izet Mexhiti ka mbajtur pozita të rëndësishme si nënkryetar i BDI-së dhe shef i grupit parlamentar. Ai ka shërbyer si nënkryetar i BDI-së, deputet dhe kryetar i Komunës së Çairit në Shkup për disa mandate.
Nga BDI e akuzojnë Mexhitin për keqpërdorimin e besimit të Ali Ahmetit dhe për krijimin e një imazhi negativ të BDI-së, duke përmendur ndërtimet pa leje në Çair si një shembull të veprimtarisë së tij.