Smart News

Rruga Tetovë-Prizren, asnjë afat se kur mund të nisin punët në terren!

Maqedonia e Veriut vazhdon të mos del nga burokracia për sa i përket ndërtimit të rrugës Tetovë-Prizren, një kërkesë e kahmotshme e banorëve të Tetovës dhe jo vetëm. Përderisa nga ana e Kosovës, vazhdimisht promovohen punë infrastrukturore që ndërlidhen me rrugën Tetovë-Prizren, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk ka asgjë konkrete ose të jepet afat se kur mund të fillojnë punët në terren.

Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Shaqiri Zekolli, thekson se pasi që bëhet fjalë për projekt të përbashkët me Kosovën, pritet që grupi i punës të jep vërejtjet dhe më pas të fillohet me punë.

“Siç e dini, gjatë këtij mandati unë disa herë kam qenë në Kosovë pikërisht për këtë projekt, por edhe kemi pasur mysafir nga Kosova tek ne. Unë mendoj se ky projekt ka qenë i stagnuar ose ka fjetur një vit e tepër, nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes, ne kemi ndërmarrë shumë hapa konkrete në këtë drejtim, duke bërë detyrën projektuese që e kemi pëfunduar shumë shpejtë dhe ne ishim në Kosovë ku u pritëm nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka shprehur përkrahje, gjithashtu nga Ministri Liburn Aliu dhe zëvendësi Hysen Durmishi dhe për momentin presim që ata të na japin një përgjigje ose një feedbek lidhur me vërejtjet që mund t’i kenë në detyrën projektuese. Kur të marrim përgjigje, fillojmë me fazën tjetër që na pret. Kështu që punët po ecin dhe ne jemi të interesuar që ky projekt që ka rëndësi kombëtare të realizohet tutje”, tha zëvendësministrja Kaltrina Zekolli.

Në ndërkohë, zëvendësministrja Kaltrina Zekolli është pyetur edhe për afate lidhur me fillimin e punëve nga ana e Maqedonisë së Veriut. Ajo është shprehur se presin përgjigje nga ana e Kosovës lidhur me realizimin e tunelit të përbashkët.

“Presim përgjigje nga ana e tyre, sepse është një projekt, i cili është i përbashkët, projekt që lidhet me dy shtete. Është pjesa e tunelit që është e përbashkët andaj ne në këtë pjesë duhet të gjejmë një zgjidhje të caktuar si do të duket projektimi që më pas të vijmë deri tek mbështetje financiare e përbashkët. Kështu që afat konkret nuk mund të them për momentin, sepse përgjigjja pritet nga Qeveria e Kosovës”, tha zëvendësministrja Kaltrina Zekolli.

Sipas disa informacioneve, rruga Tetovë-Prizren do të kushtojë 200 milionë euro edhe gjysmat e parave nga kjo rrugë duhet të paguhen nga Republika e Kosovës edhe gjysma nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Nga ana e Kosovës, veçmë njoftohet se zhvillohen punime konkrete për sa i përket kësaj rruge.

“113 kilometra është e gjatë rruga aktuale nga Prizreni në Tetovë, nëpër Prevallë e Glloboçicë. Me rrugën e re, Prizreni dhe Tetova do të jenë më pak se 50 kilometra afër njëra tjetrës. Mali që i ndan, do të ketë portën që i bashkon, pra tunelin me gjatësi 6.4 kilometra”, kanë thënë nga Qeveria e Kosovës. (koha.mk)

Exit mobile version