Connect with us

Lajme

Rruga e RMV-së drejt Bashkimit Evropian: Takime, deklarata, por zero përparim

Published

on

Shkëmbime përvojash dhe ide për të shpejtuar hapat në rrugën drejt BE-së. Është konkluzioni i zakonshëm i takimeve bilaterale mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe protagonistëve të Bashkimit Europian, që deri më sot nuk e ka sjell asnjë ndryshim në pozicionin e Maqedonisë në këtë drejtim. Madje kur flitet për eurointegrimet, Maqedonia më nuk është në vendet me prioritet të unionit dhe këtë e dëshmon fakti që ajo u përmend shumë shkurt nga Komisionerja për Zgjerim e Komisionit Evropian, Marta Kos gjatë prezantimit të Paketës së Zgjerimit të vitit 2025, përderisa Shqipëria dhe Mali i Zi morën lëvdata për punën e tyre, shkruan Portalb.mk.

Me të mbaruar rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kryeministri i RMV, Hristijan Mickoski ka udhëtuar drejt Brukselit.

“Këmbyem përvoja dhe ide se si të përshpejtojmë progresin dhe si të krijojmë mundësi më të mira për qytetarët. Takime të tilla kanë rëndësi të madhe, pasi e konfirmojnë përkushtimin tonë ndaj perspektivës evropiane dhe e forcojnë bashkëpunimin me partnerët evropianë”, shkroi kryeministri Hristijan Mickoski pas takimit me presidentin i Këshillit Evropian, Antonio Kosta.

Nga eksponentë të BE-së, është ripërsëritur disa herë në takimet bilaterale se kryciale në rrugëtimin e RMV drejt BE-së janë ndryshimet kushtetuese.

“Ne e mbështesim plotësisht Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së. Mund të mbështeteni tek ne. Hapi tjetër dhe i vetëm para hapjes së negociatave është i qartë. Ju duhet të bëni ndryshimin kushtetues të dakordësuara. Topi është në fushën tuaj. BE-ja është gati”, shkroi në rrjete sociale Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen pas takimit të fundit me kryeministrin e RMV-së, Mickoski.

Në këtë linjë ishte edhe Marta Kos, e cila pasi e lavdëroi Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën për përparimin e bërë në rrugën eurointegruese, si, në fund, në pjesën e vendeve që kanë ngecur përmendi edhe Maqedoninë e Veriut, pas Serbisë dhe Bosnjës.

“Vendi nuk ka ndërmarrë hapa vendimtare për të përparuar në negociata brenda këtij viti, Duhet të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të ecur përpara në rrugën e saj eurointegruese” tha shkurt Kos.

Nuk ka paralajmërim për ndryshime kushtetuese

Në këtë drejtim, i pari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, tha se nuk ka paralajmërim për ndryshime kushtetuese, edhe pse ekziston vullneti i shumicës drejt Bashkimit Europian.

“Nuk ka paralajmërim për ndryshime kushtetuese por jam optimis se nga BE ka vullnet për zgjerim, shumica parlamentare duhet të shfrytëzojë rastin”, tha në përgjigjen e tij për Portalb.mk, kryeparlamentari Gashi.

Vizita e Mickoskit shihet si një test i radhës diplomatik për qeverinë, e cila pritet të tregojë nëse është e gatshme të gjejë kompromis për të përmbushur obligimet evropiane dhe për të mbajtur gjallë perspektivën integruese të vendit.

As presidentja nuk dëshiron

Kujtojmë se, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022, më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut mbajti Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në në kuadër të procesit të anëtarësimit. Për të mbajtur të dytën dhe për të hapur kapitujt negociues me BE-në, Parlamenti i RMV-së duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese me të cilat bullgarët do të përfshihen në Preambulë.

Por, në këtë linjë nuk është as presidentja aktuale e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska- Davkova. Siç pretendon ajo, “Marrëveshja me Bullgarinë nuk përmban nen për ndryshimin e Kushtetutës”.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet vetëm pjesërisht e përgatitur në luftën kundër korrupsionit dhe nuk ka shënuar progres, ndërsa korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur dhe shqetësues. Tragjedia e 16 marsit 2025 në Koçan ekspozoi mangësi serioze në zbatimin e masave antikorrupsion. KSHPK u përball me krizë besueshmërie pas aktakuzës ndaj kryetares së saj, ndërsa institucioni duhet të forcojë udhëzimet, verifikimin e pasurisë dhe mbikëqyrjen e financimit zgjedhor. Prokuroria dhe njësitë hetimore vuajnë nga mungesa e stafit dhe burimeve, ndërsa rastet e korrupsionit të nivelit të lartë shpesh vonohen, parashkruhen ose përfundojnë me dënime minimale. Rekomandimet e vitit të kaluar mbeten të paadresuara. Vendi duhet të miratojë Kodin e ri Penal, të zbatojë strategjitë antikorrupsion dhe të sigurojë burime të mjaftueshme për institucionet kyçe. Këto janë disa nga vërejtet e Komisionit Evropian në Raportin e Progresit për Maqedoninë e Veriut.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *