Gazetari Nevrij Ademi ka reaguar pas raportimit të gazetarit të njohur nga Shqipëria, Marin Mema, i cili në një emision të jashtëzakonshëm kushtuar monopolit të Tetovës ka ngritur alarmin se diçka po fshihet nga opinioni publik, pasi atij dhe ekipit të tij nuk iu lejua të xhironin në hapësirat ku zhvillohet puna, as nga afër e as nga larg.
Sipas Memës, pronarët e objektit kanë kërkuar që të mos bëhej asnjë xhirim në zonë, por pavarësisht kësaj, ata janë vendosur në një hapësirë tjetër afër, ku autoritetet nuk kanë mundur t’i pengojnë.
Në reagimin e tij, Ademi thekson: Hoxha i Llërcës vazhdon ta përdorë uniformën si mjet frikësimi ndaj fjalës së lirë — kësaj here duke tentuar të ndalojë edhe gazetarët që vijnë nga jashtë.
Ajo që çdo ditë ndodh me gazetarët vendas, tani po përpiqen ta bëjnë edhe me reporterët dhe ekipet mediatike që nuk janë nga këto anë. Frika nga e vërteta i ka kapluar deri në atë pikë sa nuk bëjnë më dallim mes të vërtetës dhe frikës për të humbur karrigen e pushtetit.
Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe një përpjekje e ulët për të heshtur çdo zë që guxon të flasë.
Por sa më shumë të na ndalojnë, aq më shumë do të flasim. Sa më shumë të na frikësojnë, aq më shumë do të rezistojmë. Sepse të vërtetën nuk e ndalon dot as policia, as pushteti, as propaganda!”, nënvizon Ademi.
Reagimi i Ademit vjen si kundërpërgjigje ndaj praktikave për të kufizuar punën e gazetarëve në terren dhe për të fshehur të vërtetën nga qytetarët.