Reisi sqaron dilemat rreth vaksinimit në Ramazan: Vaksina nuk është vitaminoze, nuk e prish agjërimin

e postuar më at 17:51
76 0

Në prag të muajit të Ramazanit, besimtarët myslimanë janë skeptik nëse u lejohet të pranojnë vaksinën anti-covid dhe nëse imunizimi ua prish agjërimin. Për TV21 dilemat ua qartëson kreu i BFI-së Shaqir Fetahu. Ai thotë se vaksina duhet të merret pa hamendje dhe se e njëjta nuk ndikon në prishjen e agjërimit.

“Vaksina nuk është vitaminoze dhe nuk është ushqyese dhe e dyta nuk depërton nëpërmes fytit dhe lukthit të njeriut, andaj pa fije dyshimi vaksina duhet të merret sipas kërkesave të organeve apo institucioneve kompetente dhe pa fije dyshimi se vaksinimi nuk e prish agjërimin e ditëve të muajit të Ramazanit. Nëse eventualisht në momentin e vaksinimit ndodh ndonjë përkeqësim i vogël që mund të jetë normale, atëherë në konsultim me specialistët e mjekësisë mund ta prishni agjërimin dhe nuk ka kurrëfarë dënimi për këtë përveçse e agjëron pastaj një ditë për një ditë”, deklaroi Fetahu.

Që kur ka nisur imunizimi kundër virusit korona në vendin tonë, deri sot janë vaksinuar 21.333 qytetarë. Në sallën e sportit “Boris Trajkovski” po vijon vaksinimi masiv, ndërkaq hapësirat apo pikat për vaksinim do të shtohen me ardhjen e dozave të reja deklaroi për TV21, zv/ministri i Shëndetësisë Ilir Hasani. Pas sallën “Boris Trajkovski” si pika për vaksinim Ministria e Shëndetësisë do të shfrytëzojë edhe të gjitha sallat e tjera të sportit sipas nevojës, ku përfshihen edhe sallat e shkollave të cilat nuk janë në shfrytëzim. Hasani tregoi edhe për incidentet që kanë vijuar gjatë procesit të vaksinimit.

“Ky organizim masiv që e kemi bërë në ditët e kaluara në sallën Boris Trajkovski, e njëjta do të pasqyrohet në të gjitha sallat në republikën tonë, ku do të shumfishohet mundësia për vaksinim. Është pak e ndjeshme çështja e personelit mjekësor që do të punojë aty, por sa i përket hapësirës, mjeteve dhe organizimit jemi të përgatitur për ta shtrirë komplet në gjithë vendin tonë”, deklaroi Hasani.

Vaksinimi lejohet por nuk dihet se kur do të arrijnë dozat tjera të vaksinave nëpërmjet mekanizmit Covax.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe pas takimit me drejtorët e Qendrave-covid dha lajm optimist. Numri i pacientëve që po trajtohen nëpër spitale infektive këtyre ditëve është ulur tha ai, e përveç kësaj edhe faktori R-0 ka rënë nën 1. Ndërkaq gjithsej 1699 pacientë të infektuar ose të dyshuar me Covid19 po mjekohen nëpër Klinika infektive.

J X

nga kategoria