Ridvan Ismaili, i punësuar në Entin Shtetëror të Statistikave, ka reaguar ndaj zërave që po qarkullojnë në bllokun politik maqedonas për një regjistrim të mundshëm digjital të popullsisë në vitin 2026, duke e cilësuar si një hap që rrezikon përfaqësimin real të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në një reagim publik, Ismaili theksoi se sipas praktikave evropiane dhe udhëzimeve të Eurostat, regjistrimet e popullsisë mbahen vetëm në vitet që përfundojnë me 0 ose 1 (si 2010, 2021 etj.), në përputhje me standardet ndërkombëtare statistikore.
“Çdo veprim ndryshe dhe çdo nxitim në këtë drejtim është përgatitje për manipulimin e radhës me numrin real të shqiptarëve dhe përqindjen e korrigjuar së fundmi,” – u shpreh Ismaili.
Ai paralajmëroi se çdo devijim nga cikli i rregullt i regjistrimit mund të krijojë dyshime për ndërhyrje politike, sidomos pas debatit të ndjeshëm rreth përqindjes së shqiptarëve dhe ndarjes së drejtë të resurseve dhe përfaqësimit.
Kujtojmë se regjistrimi i fundit i popullsisë në Maqedoninë e Veriut u realizua në vitin 2021, pas më shumë se dy dekadash ndërprerje dhe me sfida të shumta politike. (INA)