Smart News

Rebelohet Malësia e Tetovës: Aktivistët e Besës paralajmërojnë ndërprerje të aktivitetit

Tensionet në rritje brenda Lëvizjes Besa kanë shpërthyer publikisht në nëndegën e saj në Shipkovicë, ku aktivistët lokalë kanë reaguar ashpër ndaj udhëheqësisë së partisë, tashmë pjesë e grupimit VLEN.

Në një deklaratë të drejtpërdrejtë publike, nëndega akuzon strukturat qendrore për injorim të plotë të kësaj zone, ndonëse në zgjedhjet e fundit dhanë mbi 400 vota për koalicionin.

“Të nderuar aktivistë, shokë e dashamirë të Lëvizjes Besa – jemi të zhgënjyer thellë nga sjellja e udhëheqësisë tashmë të quajtur VLEN. Pyesim publikisht: çfarë keni ju kundër nëndegës së Shipkovicës, që sot nuk ka asnjë funksionar në ekzekutiv?”, thuhet në reagim.

Aktivistët e Shipkovicës e quajnë të papranueshme faktin që zona e tyre, si dhe e gjithë Malësia, po shpërfillet, ndërsa pozicionet u jepen “personave pa kredibilitet”, që sipas tyre nuk përfaqësojnë realisht vullnetin e votuesve.

“Na keni borxh. Asnjë vendim pune nuk keni dhënë për njerëzit që ju mundësuan të krijoni degë e të merrni vota në këtë zonë. U sollët me arrogancë dhe përbuzje ndaj Malësisë”, thekson më tej deklarata.

Në fund, nëndega nuk përjashton mundësinë e ndërprerjes së aktivitetit në kuadër të kësaj strukture politike:

“Ju bëjmë me dije se kjo sjellje mund t’ju kthehet anasjelltas. Ne nuk kemi asgjë për të humbur, por ju jeni aty falë votës sonë. Po shqyrtojmë seriozisht të pushojmë aktivitetin tonë në këtë strukturë.”

Exit mobile version