Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, me një postim në rrjetin social Facebook ka reaguar për të dytën herë për ngjarjet e ndodhura ditën e djeshme në Veri të Kosovës, ku një grup i armatosur serb i mori jetën efektivit Afrim Bunjaku dhe la të plagosur një tjetër polic.
Taravari shprehet se Kosova nuk mund të jetë një Ukrainë e dytë, sepse një Ukrainë e dytë përkthehet në Luftën e Tretë Botërore. Ai kërkon të ndërrohen negociatorët mes Kosovës dhe Serbisë, të cilët, shton ai, do të mbanin një qëndrim të drejtë që nënkupton ndëshkim të qeverisë serbe për të gjitha sjelljet kriminale që ka bërë deri tani!
“Serbia vazhdon përpjekjet e saj për të ndezur luftën në Kosovë dhe më gjerë. Evropa diplomatike vazhdon dhe i zvogëlon këto sulme ushtarake në “banda” dhe raste të izoluara. Kosova nuk mund të jetë një Ukrainë e dytë, sepse një Ukrainë e dytë përkthehet në Luftën e Tretë Botërore. Që kjo mos të ndodhë duhet ndaluar urgjentisht Serbia në strategjinë e saj pushtuese dhe kriminale! Mjaft më me takime diplomatike që janë benzinë që po shton zjarrin. Ka ardhur koha të ndërrohen negociatorët dhe të mbahet qëndrim i drejtë ndaj të të dy palëve! Qëndrim i drejtë domethënë dënim, ndalim dhe ndëshkim i qeverisë serbe për të gjitha sjelljet kriminale që ka bërë deri tani! Është i domosdoshëm ndalimi i Serbisë në veprimet e saj. Çdo vonesë mund t’i kushtojë botës shumë më shumë”, shkruan i pari i ASH-së.
Ndërkohë ditën e djeshme, pak orë pas ngjarjes, Taravari dënoi me ashpërsi sulmin e kryer ndaj policisë së shtetit të Kosovës nga i cili mbeti i vrarë një efektiv policie dhe një tjetër mbet i plagosur.
“Tani që shkruaj këto rreshta aty ende vazhdojnë të shtënat nga persona të maskuar dhe gjuajtës profesionistë. Ky është një rast alarmant, dramatik dhe kërkoj reagim urgjent nga faktori ndërkombëtar! Duhet Vepruar Tani!”, shprehej Taravari.
Ngjarja e rëndë që riktheu ethet e luftës në Kosovë ndodhi rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës në fshatin Banjska të Zveçanit, ku policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur prej 30 personash, të veshur me uniforma ushtarake dhe të armatosur me armë të rënda.
Një operacion i Forcave Speciale të Kosovës për kapjen e autorëve e pasoi ngjarjen e rëndë, nga ku në total 3 serbë mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit dhe 6 janë arrestuar.