Sot ministri i Shoqerisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu përmes një Press-Konference ka bërë të ditur raportin e auditimit, lidhur me procedurat e tenderimit dhe situatën në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Subjekt i revizionit kanë qenë lëndë të përzgjedhura rastësisht, të cilët janë analizuar nga një revizor i pavarur në pjesët nga hapja e procedurës së tenderimit deri në pagesën përfundimtare për aktivitetet e realizuara. Ky raport përfshin periudhën nga janari 2021 deri në qershor 2023.
Në raport theksohet se nga 18 procedura të tenderimit për prokurim publik, në 14 prej tyre ka aplikuar vetëm një kompani. Për tri procedura ka pasur dy oferta, gjegjësisht për një procedurë ka pasur tri oferta. Gjithashtu, në pjesë të madhe të procedurave, shuma që ka qenë e parashikuar në planin për prokurime publike të MSHIA-s për një prokurim të caktuar ka qenë e njëjtë me shumën e ofruar nga një kompani e caktuar. Sipas ministrit, ky është një problem sistematik për të cilin duhet të gjindet zgjidhja e duhur.
„Në njërën anë, kompani të caktuara krijojnë politikat në bazë të interesave të tyre afariste, ndërsa nga ana tjetër, numër i madh i kompanive, për arsye të caktuara, nuk iu përgjigjen thirrjeve publike të institucioneve shtetërore. Natyrisht, kjo ndikon në konkurrencën dhe mundësinë për zgjedhje më të madhe, gjegjësisht institucionet shtetërore detyrohen të paguajnë çmime më të larta për shkak të numrit të vogël të ofertave nga kompanitë. Prandaj nevojitet zgjidhje e përgjithshme sistematike që do të parandalojë të gjitha tentativat për keqpërdorim dhe do të rrisë ofertën me mallrave dhe shërbimeve për institucionet shtetërore”, tha ministri Aliu.
Aliu thekson se nëse duam të fitojë Maqedonia e Veriut dhe të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, atëherë duhet të flitet hapur për të gjitha problemet dhe sfidat në këtë rrugë. Raporti i revizionit për gjendjen është publikisht i disponueshëm në faqen e internetit të MSHIA-s.
“Duam të jemi transparent dhe të përgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe të përmirësojmë proceset e tenderimit. Prandaj do të organizojmë edhe takime ku do të informojmë kompanitë paraprakisht për tenderët dhe nevojat e institucionit”, thotë Aliu.