Smart News

Ramadani ironizon iniciativën e opozitës për luftën kundër korrupsionit qytetarët presin veprat e atyre që dikur u përfshinë në skandale

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka komentuar iniciativën e disa figurave të opozitës për të luftuar korrupsionin, një angazhim që, sipas tyre, do të fillojë nga vetja. Ky veprim është përshëndetur me një dozë optimizmi të përmbajtur, ndërsa qytetarët mbeten në pritje të hapave konkretë.

Zhvillimi ka ngjallur diskutime dhe ironi, duke sjellë në vëmendje raste kur politikanë të njohur, dikur të përfshirë në skandale, sot synojnë të paraqiten si flamurtarë të drejtësisë. Analistët dhe opinioni publik vëzhgojnë me interes nëse kjo nismë do të nisë me deklarimin e pasurisë personale apo me përballjen me të kaluarën e tyre të diskutueshme.

Me gjithë skepticizmin e përgjithshëm, mbetet për t’u parë nëse kjo iniciativë do të sjellë transparencë të vërtetë apo do të mbetet një tjetër episod në teatrin politik, ku spektatorët nuk mungojnë kurrë.

Postimi i plotë i Ramadanit:

“Me kënaqësi dhe me ndjenjë të thellë optimizmi të përmbajtur, mirëpresim iniciativën e disa figurave të njohura të opozitës për të luftuar korrupsionin, një betejë që, me sa duket, do ta fillojnë nga vetja. Ky akt fisnik dhe vetëreflektues dëshmon se ndonjëherë e kaluara mund të jetë mësuesja më e mirë për të ardhmen.

Ky është një zhvillim inkurajues, që na kujton një zjarrfikës të vendosur, i njohur nga e kaluara si piroman, e që sot do t’i shuajë flakët me benzinë.

Qytetarët mezi presin të shohin nëse do të fillohet nga deklarimi i pasurisë personale apo nga skandalet e shumta që i përcjellin.

Duke qenë dashamirës të transparencës, do të ndjekim me vëmendje çdo hap të kësaj ‘lufte’. Në fund të fundit, çdo teatër ka nevojë për spektatorë”, ka përfunduar Ramadani.

Exit mobile version