Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar të Komunës së Sarajit, Blerant Ramadani, gjatë vizitës së tij në Bojanë vlerësoi traditën e vreshtarisë dhe trashëgimin e këtij fshati, duke e cilësuar atë si zemër të prodhimit bujqësor në komunë, përcjell SmartNews
Ramadani premtoi mbështetje konkrete për fermerët, përfshirë projekte moderne për ujitje me sistem “pikë për pikë”, kursim të ujit dhe rritje të prodhimtarisë. Ramadani paralajmëroi gjithashtu lehtësira për qasjen e drejtpërdrejtë në rrjetin elektrik, në mënyrë që puna e vreshtarëve të bëhet më e lehtë dhe më efikase.
“Panoramat e Bojanës janë unike, ndërsa angazhimi ynë është i sinqertë dhe i vendosur ta kthejmë këtë pasuri natyrore e historike në motor të zhvillimit bujqësor dhe turistik të Sarajit”, theksoi Ramadani.
Postimi i plotë:
“Nga Bojana e Dervenit , i gjithë rajoni shijon rrushin më të ëmbël, i cili ka fituar emër falë duarve të palodhura të bojanalive dhe angazhimit historik të Selim Bojanës. Ky është trashëgim i çmuar që e bën Bojanën jo vetëm sinonim të mikpritjes, por edhe zemër të prodhimit bujqësor të komunës sonë.
Si menaxhment i ardhshëm i komunës, ne zotohemi të asistojmë vreshtarët e Bojanës me projekte moderne për ujitje me sistem “pikë për pikë”, duke garantuar eficiencë dhe kursim të ujit, si dhe me iniciativën për qasje të drejtpërdrejtë në rrjetin elektrik, që të lehtësohet puna dhe të shtohet prodhimtaria.
Panoramat e Bojanës janë unike, ndërsa angazhimi ynë është i sinqertë dhe i vendosur, ta kthejmë këtë pasuri natyrore dhe historike në motor të zhvillimit bujqësor e turistik të Sarajit. #Bojana #Rrushi”, ka përfunduar Ramadani./SmartNews.mk/