Me krenari të madhe dhe në shenjë triumfi, VLEN shpall një arritje të jashtëzakonshme që, sipas tyre, dëshmon fuqinë dhe vendosmërinë për drejtësi dhe barazi reale! Dje, Dogana e Maqedonisë së Veriut ka realizuar 21 punësime të reja – të gjithë shqiptarë – duke shkruar një faqe të re në historinë e përfaqësimit shqiptar në institucionet shtetërore.
Por pas kësaj fasade suksesi, kanë dalë në pah emra që hedhin hije dyshimi mbi procesin. Lirim Fetai, kushëri i Zëvendëskryeministrit Arben Fetai, është një nga të punësuarit në këtë valë punësimesh.
Po ashtu, vëllai i zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, Driton Iseni figuron mes të përzgjedhurve.
Në listën e të punësuarve është edhe bashkëshorti i zëvendësministres së Sportit, Safije Sadiku Shaini, i cili është emëruar në ndërmarrjen shtetërore MEPSO.
Këto punësime janë interpretuar nga opinioni publik si raste të pastër nepotizmi dhe kanë ngritur pikëpyetje serioze për transparencën dhe meritokracinë e premtuar nga përfaqësuesit e VLEN-it.
VLEN, ndërkohë, vazhdon të theksojë se ky është vetëm fillimi i një administrate moderne, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë, ku çdo shqiptar gjen vendin e vet me dinjitet.
Megjithatë, përfshirja e të afërmve të zyrtarëve të lartë shtetërorë në këto punësime, ka rrezikuar të zbehë kredibilitetin e procesit dhe ta kthejë në një shembull klasik të riciklimit të privilegjeve familjare në institucionet publike.