Pse uniformat e policisë ende nuk janë shqip? Më shumë se gjysmë viti që kur Nuhiu i ka nënshkruar aktet normative

e postuar më at 19:05
73 0

Uniformat e policisë dhe njësiteve të tjera të Ministrisë së Brendshme, vazhdojnë të jenë vetëm në gjuhën maqedonase. Mbishkrimi në shqip assesi të vendoset mbi emblemat e organeve të rendit!

Ka kaluar mbi gjysmë viti që kur ish-Ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, i dërgoi në Qeveri aktet normative për uniforma dygjuhëshe, por deri më sot asgjë nuk ka lëvizur.

Sa është i paqartë ky proces, po aq e paqartë është edhe deklarata e zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi i cili u pyet se pse uniformat e policisë ende nuk janë në dy gjuhë.

“Akti normativ i z.Agim Nuhiu gjersa ushtronte detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme ishte gjatë kohës së Qeverisë teknike dhe përballjes së pandemisë, do ta ripërsërisim sepse gjithsesi se duhet të respektohen ligjet, në veçanti ligji për përdorimin e gjuhëve dhe nuk shoh ndonjë rezervë nga partneri ynë i koalicionit”, deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.

E pakuptueshme është se çfarë do të ripërsëritet dhe nëse aktet e ish-ministrit Nuhiu nuk vlejnë sepse janë bërë në kohë të qeverisë teknike. TV21 u përpoq ta qartësojë këtë çështje, por përgjigje konkrete nuk morën as nga Ministri aktual Oliver Spasovski, e as nga ish-Ministri Nuhiu. Ky i fundit na tha se nuk është në dijeni për procesin, kurse Spasovski shkurt na u përgjigj se “procedura është në vijim”, pa sqaruar nëse në procedurë janë aktet që ka dërguar Nuhiu, apo Spasovski vetë do të duhet të dërgojë akte të reja normative.

Në dhjetor 2020, Spasovski pat deklaruar se sapo Qeveria të përfundojë procedurat me aktet normative, do të fillojnë zbatimin e dygjuhësisë.

“Në atë periudhë u ngrit procedura në lidhje me realizimin e dispozitave ligjore, ajo procedurë është para qeverisë, sapo të përfundojë, do të fillojmë me zbatim”, deklaroi Spasovski më 04.12.2020.

Edhe 3 muaj pas kësaj deklarate, asgjë nuk ka ndodhur. Që në gusht të 2020, ish-Ministri Agim Nuhiu nënshkroi aktet normative që emblemat e policisë të jenë edhe në shqip, ndërsa për TV21 pat sqaruar se këto akte do të duhet të marrin edhe pëlqimin e Qeverisë dhe më pastaj të hapen edhe procedurat e tenderimit që të munden edhe praktikisht të intervenohet në emblem./Tv21

nga kategoria