Smart News

Pse BDI brenda një jave braktisi idenë 15-vjeçare për President Konsensual?


Nga: Robert Nesimi

15 vite me radhë (nga zgjedhjet e 2009 kur për herë të fundit pati kandidat për President), BDI ka proklamuar idenë e kandidatit konsensual dhe ka mbështetur kandidatët e tillë maqedonas, madje kundër kandidatëve shqiptarë Iljaz Halimi në 2014 dhe Blerim Reka në 2019. 15 vite me radhë qëndrim i betonuar i BDI ka qenë se shqiptari nuk mund të bëhet President, andaj duhej mbështetur një kandidat i përshtatshëm maqedonas.

Me po të njëjtën ide BDI nisi edhe këtë fushatë zgjedhore. Këtë qëndrim e përsëritën të gjithë eksponentët e dalluar partiakë. S’ka as 10 ditë që kështu u shpreh edhe frontmeni i saj aktual Talat Xhaferri, kryeministri aktual teknik.

Por një javë më parë BDI bëri kthesë dramatike, duke braktisur lehtësisht këtë qëndrim 15-vjeçar dhe doli me kandidat të vetin për President. Pse ndodhi kjo kthesë e çuditshme dhe dramatike e BDI në momentin e fundit? Mendoj se ka dy arsye:

1) Kandidimi i Arben Taravarit për President. Ky kandidat i mbështetur nga e gjithë opozita shqiptare, pa kundër-kandidat shqiptar, kishte gjasa reale të hyjë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Duke ditur se raundi i dytë mbahet bashkë me zgjedhjet parlamentare, BDI u frikësuar nga euforia që do të krijohej, duke i shkaktuar humbje edhe në zgjedhjet parlamentare. Strategjia mund të përshkruhet si: më mirë një raund i dytë pa shqiptarë, se me një shqiptar të opozitës. Pra BDI doli me kandidat për të pamundësuar Arben Taravarin që të shkojë në raundin e dytë

2) Divorci final me SDSM. Në dy zgjedhjet paraprake presidenciale BDI ka patur komoditetin që partneri i saj i koalicionit ishte fitues i sigurtë dhe andaj nuk e ka patur problem t’a mbështeste atë. Këtë radhë BDI e ka të qartë se SDSM i ka punët si mos më keq dhe vërtetë i duhej një gjest që t’a braktisë këtë anije që po fundoset. Por koalicionimi direkt parazgjedhor me VMRO me të vërtetë do të ishte i tepërt, andaj opcion i vetëm mbeti kandidatura vetanake. Pra BDI doli me kandidat të vetin për President për t’i larë duart nga SDSM, pa shkuar ashiqare me VMRO-në.

Exit mobile version